17-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, Shaban Jashari merr titullin “Hero i Kosovës”

18.02.2025 15:05

Me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës...

Me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, presidentja Osmani i ka ndarë titullin “Hero i Kosovës”, Shaban Jasharit, ndërsa të gjithë familjes Jashari i ndau dekoratën “Urdhri i Lirisë”. Osmani me këtë rast tha se në 17-vjetorin e Pavarësisë po i bëjmë bashkë historinë, sakrificën dhe krenarinë e këtij kombi në një akt solemn, dekorimin e atyre që e bënë Kosovën të lirë dhe shumë të tjerëve, që edhe sot vazhdojnë të ndihmojnë ecjen tonë përpara.

“Me të drejtë, komandanti Adem Jashari, Hamza, e shumë të tjerë, janë nderuar me urdhrin “Heroi i Kosovës”. E sot, titullin hero, do t`ia ndajmë Shaban Jasharit, kryefamiljarit të familjes Jashari. Por, deri më sot, familja Jashari si e tillë, si emblemë e lirisë dhe simbol i sakrificës sublime, nuk është dekoruar në tërësi për heroizmin, sakrificën dhe qëndresën e saj të pashembullt. Dekorimi i sotëm i familjes Jashari në tërësi vjen si një akt që synon ta plotësojë këtë mungesë historike, duke e njohur sakrificën e përbashkët të çdo anëtari të familjes që qëndroi dhe luftoi për lirinë e Kosovës.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Dekoratën për “Heroin e Kombit” e pranoi Bekim Jashari. Ndërsa dekoratën për familjen Jashari e pranoi vajza e heroit të kombit, Hamëz Jashari, Besarta.

“Duke qenë sot që prezenca ime ka qenë me atë që përfaqësoj, po e nis me thënien e Hamëz Jasharit, ku thoshte “ndoshta fitohet liria me laps, po neve në Kosovë na mungojnë varrezat e dëshmorëve”. Populli i Kosovës gjithmonë ka dashur dhe kërkuar lirinë, gjithmonë ka pasur djem dhe vajza që i janë përkushtuar kësaj kauze. Rruga deri më 17 shkurtin e vitit 2008 nuk ka qenë e lehtë, është dashur edhe veprim, edhe vetmohim.”, - u shpreh vajza e Hamëz Jasharit, Besarta Jashari.

Osmani, në këtë përvjetor ka ndarë Dekorata Presidenciale, për personalitete të shquara vendore dhe ndërkombëtare, të cilat kanë dhënë kontribut për shtetin e Kosovës.

Me këtë rast urdhrin “Hero i Kosovës”, Osmani e ka ndarë edhe për Tahir Sinanin. Urdhrin “Heroina të Kosovës” e ka ndarë edhe për vajzat dhe gratë që luftuan në radhët e UÇK-së, si edhe për dy bashkëluftëtarët dhe bashkëshortët, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci. (Gyltene Sinani, TVM2)