Bisedimet për Ukrainën, Evropa e përjashtuar nga Trampi, liderët evropianë në takim urgjent, kërkojnë përfshirje në bisedime
Pas iniciativës së presidentit amerikan, Donald Tramp...

Pas iniciativës së presidentit amerikan, Donald Tramp, për negociata me Rusinë për luftën në Ukrainë, duke përjashtuar Brukselin, presidenti francez, Makron, thirri urgjentisht një takim të përbashkët me disa nga vendet evropiane.
Qëndrimi i përbashkët është se Evropa duhet të ketë rol në bisedimet e paqes për përfundimin e luftës në Ukrainë. U theksua se partnerët tradicionalë strategjikë – ShBA dhe Evropa, duhet të jenë të bashkuar për çështjen ukrainase.
Kancelari gjerman, Sholc, e përshëndeti fillimin e bisedimeve, por theksoi se Ukraina nuk është e detyruar të pranojë marrëveshjen e arritur në Riad.
"Ne ende nuk kemi arritur paqe, jemi në mes të një lufte brutale që po e zhvillon Rusia. Nuk duhet të ketë ndarje të sigurisë dhe përgjegjësive mes Evropës dhe ShBA-së. NATO-ja bazohet në faktin se ne gjithmonë veprojmë së bashku dhe rrezikojmë së bashku, duke garantuar sigurinë tonë përmes kësaj. Po ashtu, është e qartë se nuk bëhet fjalë për dërgimin e ushtarëve evropianë derisa të zgjasë lufta.", - deklaroi kancelari i Gjermanisë, Olaf Sholc.
Edhe kryeministri i Spanjës tha se është e domosdoshme pjesëmarrja e Bashkimit Evropian në këto bisedime.
"Nëse duam një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë, është e nevojshme pjesëmarrja aktive si e Ukrainës, ashtu edhe e Bashkimit Evropian në bisedime. Evropa duhet një herë e përgjithmonë ta vendosë sigurinë dhe mbrojtjen e saj si një të mirë të përbashkët.", - theksoi kryeministri i Spanjës, Pedro Sançez.
Ndërkohë presidenti francez, Makron, në një bisedë telefonike me presidentin amerikan Tramp, ka kërkuar garanci për siguri dhe paqe të qëndrueshme në Ukrainë.
Nga ana tjetër, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar ka shprehur gatishmëri për përfshirjen e forcave britanike në Ukrainë, por me kushtin e mbrojtjes amerikane.
"Ka ardhur koha të marrim përgjegjësi për sigurinë tonë dhe për kontinentin tonë. Jam i gatshëm për angazhimin e forcave britanike në terren, bashkë me të tjerët, nëse ka një marrëveshje të qëndrueshme paqeje. Por, garancia e sigurisë nga Amerika është e vetmja mënyrë për ta penguar në mënyrë efektive Rusinë që të sulmojë përsëri Ukrainën.", - u shpreh kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.
Edhe Polonia, e gatshme të ndihmojë Ukrainën. Kryeministri Tusk tha se duhet të ndërmarrin hapa të menjëhershme në mbrojtje të saj.
"Ne, si Evropë, duhet t’i përmbushim detyrimet e qarta, sepse siguria jonë varet prej tyre. Nuk do të mund t’i ndihmojmë efektivisht Ukrainës, nëse nuk ndërmarrim menjëherë hapa praktikë në lidhje me kapacitetet tona mbrojtëse.", - theksoi kryeministri i Polonisë, Donald Tusk.
Takimi në Paris, i thirrur urgjentisht nga presidenti francez, Makron, shënoi një moment të rëndësishëm në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për luftën në Ukrainë. Edhe pse u shpreh gatishmëri, ky takim përfundoi pa u arritur ndonjë vendim konkret për vendosjen e trupave paqeruajtëse në territorin e Ukrainës. (Armend Murseli, TVM2)
