Maqedoni
Këshilli i Prokurorëve, Kocevski: Nëse argumentohen shkelje, tërhiqem
18.02.2025 15:55
Qeveria po shqyrton propozimin për shkarkimi i kryeprokurorit Ljupço Kocevski...

Pas kërkesave dhe procedurave për shkarkimin e kryeprokurorit, Ljupço Kocevski, në seancën e Këshillit të Prokurorëve, Kocevski u deklarua se nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore për të cilën mund të kërkohet shkarkimi i tij. Theksoi se deklarata politike nuk do të komentojë. Megjithatë, nëse në dokumentin e Qeverisë janë argumentuar shkelje ligjore, që mund të jenë kusht për shkarkimin e tij, ai vet do të tërhiqet nga funksioni.
“Nëse janë plotësuar kushtet në bazë të Ligjit për prokurori publike unë do ta marr përgjegjësinë dhe nëse vërtetohet se me të vërtet bëhet fjalë për shkelje të rëndë disiplinore, siç është e paraparë me ligj, unë me të vërtet do të tërhiqem. Megjithatë, atë që deri më tani e dëgjova në opinion, këtu nuk ka asnjë lloj shkelje të rëndë disiplinore. Vendimin ia lë politikanëve, unë kam punuar dhe do të punoj në pajtueshmëri me ligjin.”, - deklaroi kryeprokurori, Ljupço Kocevski.
Dimitrievska: Do të veprojmë në bazë të ligjit
Ndërkohë kryetarja e Këshillit të Prokurorëve, Dushica Dimitrievska, nuk deshi të komentojë në pyetjen se nëse ministri i Drejtësisë ka diskredituar Këshillin e Prokurorëve me deklarimin se pavarësisht mendimit të tyre për shkarkimin e kryeprokurorit, procedura do të vazhdojë.
“Unë nuk mundem që të komentoj deklarata. Ne si Këshill do t’i zbatojmë dispozitat ligjore dhe do të veprojmë në suaza të kompetencave ligjore. Derisa nuk vjen propozimi prej Qeverisë, nuk mund të deklarohem, ta shohim njëherë propozimin, pastaj do të shohim, do të veprojmë ashtu siç është e paraparë me ligj.”, - theksoi kryetarja e Këshillit të Prokurorëve, Dushica Dimitrievska.
Shkarkimi i Kocevskit, iniciativa shqyrtohet në seancë qeveritare
Ndërkohë, propozimi për shkarkimin e kryeprokurorit, Ljupço Kocevski, po shqyrtohet në mbledhjen e Qeverisë. Nëse iniciativa për shkarkim kalon filtrin e Qeverisë se Kocevski ka bërë një sërë lëshimesh ligjore, propozimi do të duhet të gjendet në seancë të Këshillit të Prokurorëve, ku do të jepet mendim pozitiv apo negativ. Pavarësisht kësaj, fjalën përfundimtare për shkarkimin e kryeprokurorit, Ljupço Kocevski, do ta kenë deputetët.
Nga ana tjetër, udhëheqësja e Prokurorisë së Lartë në Shkup, Natasha Kërstevska Caleva, ka parashtruar kërkesë në Këshillin e Prokurorëve Publikë, përmes së cilës ajo kërkon që të tërhiqet nga pozita me arsyetimin se vetëm një periudhë të shkurtë është në Prokurori dhe kërkon të zëvendësohet me ndonjë prokurorë me më shumë përvojë. Prokurorja në fjalë, javën e kaluar ishte zgjedhur si udhëheqëse në Prokurorinë e Lartë në Shkup, pas suspendimit të kryetarit të kësaj prokurorie, Mustafa Hajrullahi. Kërstevska Caleva në këtë pozitë erdhi me propozim të kryeprokurorit, Kocevski, dhe pikërisht zgjedhjen e saj Qeveria e vlerësoi si joligjore, pas çka filloi edhe procedura për shkarkimin e kryeprokurorit. Kocevski tha se nuk i di arsyet e sakta për kërkesën që të tërhiqet e as nëse këtë e ka bërë për shkak të frikës nga presioni politik. Në vazhdim Këshilli i Prokurorëve do të vendosë nëse Kërstevska Caleva do të mbesë në udhëheqësinë e Prokurorisë së Lartë apo do të zgjidhet dikush tjetër.
FLORIJE KAMBERI
