Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, Gashi: Së shpejti në procedurë parlamentare
Kryeparlamentari, Afrim Gashi...

Kryeparlamentari, Afrim Gashi, në një intervistë për emisionin “360 Gradë” në RTVM, ka bërë të ditur se Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat pritet të hyjë së shpejti në procedurë parlamentare, por ajo sipas tij do të bëhet pasi propozim-ligjin do ta dorëzojë Qeveria si propozues i ligjit.
Sipas kryetarit të Kuvendit, ky ligj mund të miratohet gjatë muajit mars ose më së voni në muajin prill, duke theksuar se ekspertët kanë punuar prej kohësh për një zgjidhje të mirë kushtetuese.
“Edhe sikur të kishte mbetur balancuesi, ne kishim idenë për të miratuar ose propozuar një ligj të ri, pasi ishte e qartë që ai mekanizëm nuk dha rezultatet e dëshiruara dhe ishte keqpërdorur vitet e fundit. Për këtë arsye, mendoj se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte i drejtë. Nuk i di detajet, por zgjidhja ligjore është ndërtuar mbi bazën e parimeve kushtetuese dhe amendamenteve ekzistuese. Drejtësia është thelbësore në këtë proces. Nuk duhet të shohim gjithçka vetëm nga këndvështrimi i përqindjeve. Duhet të fokusohemi në dimensionin cilësor dhe perspektivën që sjellin njerëzit në administratën publike dhe shtetërore.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Gashi më tej ka shtuar se në interes të vendit tonë dhe të gjithë qytetarëve është që të vazhdojmë të ecim bashkë drejt Brukselit dhe Uashingtonit, dhe se ShBA-ja dhe BE-ja mbeten partnerë kyç, nuk pritet ndryshim i madh në qasjen e tyre drejt RMV-së, dhe se Parlamenti është i gatshëm të hapë Kushtetutën e vendit.
"Jam i bindur se fokusi në Ballkan do të mbetet dhe qasja ndaj vendeve tona do të jetë konsistente. Do të shohim kur të vijë ambasadori i ri, por nuk pres ndonjë ndryshim thelbësor në politikat e ShBA-së ndaj rajonit. Kërkesa jonë është racionale. Ne nuk kërkojmë parashikueshmëri për çështje të tjera, por duam që procesi të mos jetë bilateral dhe të mos prekë çështjet identitare.”, - u shpreh kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka deklaruar se pavarësisht Qeverisë së re në Bullgari, nuk pritet një zgjidhje e menjëhershme në bisedimet mes dy vendeve. (Fitim Kryeziu, TVM2)
