Prokuroria Speciale i kërkon gjykatës, që kryeministri Kurti të paraqitet në Prokurori

19.02.2025 10:39

Prokuroria Speciale e Kosovës ka dërguar kërkesë për të urdhëruar paraqitjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti...

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesë që kryeministri Albin Kurti të paraqitet në Prokurori për të dhënë dëshminë në cilësinë e dëshmitarit lidhur me rastin e rezervave shtetërore.

Lajmin e kanë konfirmuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila po e shqyrton kërkesën.

Konfirmojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka pranuar kërkesën në fjalë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e njëjta është duke u shqyrtuar nga gjykata.”, kanë bërë të ditur për mediat kosovare zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Kryeministri Kurti është ftuar si dëshmitar nga Prokuroria, që të japë versionin e tij lidhur me rastin e rezervave shtetërore për të cilin të dyshuar janë afaristi, Ridvan Muharremi dhe zyrtarët e Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara.

Prokuroria e ka ftuar tri herë me radhë, por Kurti ka deklaruar se prokurorët duhet të shkojnë për ta intervistuar në zyrën e kryeministrit, praktikë të cilën siç ka thënë ai, prokurorët e kanë bërë edhe më herët. (Gyltene Sinani, TVM2)