Maqedoni
Rreth 700 qytetarë të vendit, askund të regjistruar, Ziberi: Apelojmë institucionet që t’i evidentojnë
19.02.2025 14:08
700 qytetarë të vendit nuk janë të evidentuar në librin amë të të lindurve...

700 qytetarë të vendit nuk janë të evidentuar në librin amë të të lindurve, 260 prej tyre janë në procedurë për fitim certifikate të lindjes, ndërkaq vetëm 60 persona kanë arritur të pajisen me numra amë dhe të hyjnë në regjistrin e rregullt, thotë Avokati i Popullit, Naser Zyberi. Me këtë rast publikoi mbylljen e procedurës të një vajze të paevidentuar, të lindur në vitin 2012, e cila tashmë gëzon të gjitha të drejtat e garantuara me ligj. Për të arritur deri te evidenca e regjistrit mjafton një dokument i lindjes i lëshuar nga Klinika e Gjinekologjisë, thotë Ziberi.
“Fatkeqësisht nga 700 personat e evidentuar, vetëm 400 i janë përgjigjur apelit të MPPS-së, të cilët u evidentuan në Qendrën për Punë Sociale, por vetëm gjysma prej tyre i plotësuan kushtet për t’u evidentuar në librat e posaçme. Të gjithë këto persona deri në momentin kur mbajmë këtë press konferencë, shumica prej tyre ende nuk e kanë realizuar këtë të drejtë. Nga informatat e fundit që kam, vetëm 60 prej tyre kanë certifikatë të lindjes, respektivisht janë evidentuar në librat amë të të lindurve, të cilët kanë marrë edhe numrin amë.”, - deklaroi Avokati i Popullit, Naser Ziberi.
Ziberi, pjesë të konsiderueshme të fajit ia hedh institucioneve shtetërore, sepse lëndët me vite qëndrojnë në shërbimet e drejtorisë për librat amë.
“Padyshim që një numër i madh i këtyre personave janë viktimë e mënyrës së funksionimit të institucioneve.”, - u shpreh Avokati i Popullit, Naser Ziberi.
Avokati i Popullit, me apel ndaj organeve relevante që t’i evidentojnë saktësisht personat që nuk posedojnë dokument identifikimi, ndërkaq në rast ballafaqimi me probleme administrative i fton të referohen në zyrën e Avokatit të Popullit. Së fundmi kjo zyrë do të bëjë një hulumtim për gjetjen e numrit të saktë të të paevidentuarve.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
