Shkarkimi i kryeprokurorit Kocevski, nisma e Qeverisë trazon ujërat e partive politike
Iniciativa për shkarkimin e kryeprokurorit, Lupço Kocevski...

Iniciativa për shkarkimin e kryeprokurorit, Lupço Kocevski, trazon ujërat e partive politike.
LSDM: VMRO do të instalojë njeriun e vet
Socialdemokratët druajnë se pas shkarkimit, VMRO-DPMNE po tenton që të emërojë person i cili do t’u bindet politikave të tyre. Ata konsiderojnë se në këtë formë po kryhet ndërhyrje politike në sistemin gjyqësor.
“Pa marrë parasysh nëse pajtohemi ose jo me punën e kryeprokurorit, është e qartë se veprimi i VMRO – DPMNE-së ka një qëllim të vetëm të ndërhyjë në gjyqësor dhe të instalojë prokuror i cili do t’i bindet pushtetit. Kjo d.m.th. shkelje të demokracisë, të pushteteve dhe kthimin në kohërat e errëta të gjykatësve, prokurorëve dhe proceseve të kontrolluara gjyqësore.”, - deklaroi Aleksandar Aleksovski nga LSDM.
VMRO: Gjyqësori i politizuar drejt fundit
Mendim ndryshe ndan VMRO-DPMNE. Ata vlerësojnë se tani i vihet fundi personave të gjyqësorit, të cilët kanë punuar nën diktat politik. Vlerësojnë se vendi duhet të funksionojë si shtet ligjor, andaj gjyqësori duhet të zhvishet nga politika.
“Kacarska, Tërpkovi, Kocevski, Ruskoska dhe të tjerët, të cilët nuk kanë procesuar lëndët, i kanë zgjatur procedurat ose pa arsye janë tërhequr nga përndjekja penale, janë përgjegjës për fotografinë e keqe të sistemit gjyqësor. Raporti i “Transparency International”, ku Maqedonia ka rënie prej 12 vendesh në indeksin botëror të korrupsionit, kjo vërteton se një gjyqësor i tillë është shtylla më e dobët e shoqërisë.”, - theksoi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
Ageler: Të respektohen ligjet
Ndërkohë e gjithë situata po ndiqet nga ambasadorja amerikane, Ageler, e cila pret që në të gjitha proceset të respektohet ligji.
“Nuk kam koment për synimin e Qeverisë që të shkarkojë kryeprokurorin. Me sa di, procesi po vijon dhe ne po e ndjekim me vëmendje. Edhe Këshillin Gjyqësor po e ndjekim me vëmendje. Është e qartë se këtë e kemi thënë me vite se për Këshillin Gjyqësor dhe për gjyqësorin ka proces juridik dhe ky proces është në vijim e sipër dhe duam të shohim se drejtësia po respektohet.”, - deklaroi ambasadorja e ShBA-së, Angela Ageler.
Ditë më parë Qeveria autorizoi Ministrinë e Drejtësisë, që të dorëzojë propozim për shkarkimin e kryeprokurorit, Kocevski. Kocevski do të shprehet pasi nisma të mbërrijë në Këshillin e Prokurorëve. Paralelisht me këtë zhvillim, në fillim të marsit në Kuvend, pesë anëtarë të Këshillit Gjyqësor do të përballen me deputetët në interpelancën e ngritur nga pushteti. (Meral Ismaili, TVM2)