Botë
Negociata mes ShBA-së dhe Rusisë për Ukrainën, zbehen marrëdhëniet mes ShBA-së dhe Ukrainës
19.02.2025 15:46
Pas takimit në Riad mes përfaqësuesve të Uashingtonit dhe Moskës për dhënien fund konfliktit në Ukrainë...

Pas takimit në Riad mes përfaqësuesve të Uashingtonit dhe Moskës për dhënien fund konfliktit në Ukrainë, marrëdhëniet mes Ukrainës dhe ShBA-së kanë filluar të zbehen. Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, shprehu pakënaqësi që nuk ishte i ftuar në këtë takim, ku vendosej mbi fatin e shtetit të tij. Por, presidenti Tramp i është përgjigjur me tone të ashpra Zelenskit, duke e fajësuar për vazhdimin e këtij konflikti.
“Jam shumë i zhgënjyer të dëgjoj se ata qenkan mërzitur se nuk i ftuam. Nuk i kanë ftuar për 3 vite me radhë dhe shumë kohë më parë kur kjo çështje mund të zgjidhej shumë më kollaj dhe kur mund të shmangeshin kaq shumë humbje jetësh dhe shkatërrime.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
ShBA-ja gjithashtu sugjeroi që Ukraina të mbajë zgjedhje, sepse sipas presidentit Tramp, ukrainasit e kanë humbur besimin te Zelenski dhe ka rënie për 4%. E menjëhershme ka qenë përgjigjja e Zelenskit, i cili i konsideron të rrejshme këto statistika.
“Besimi tek unë është 57%. Nëse dikush dëshiron të më zëvendësojë tani, nuk do të funksionojë tani. Unë do të thosha kështu. Për herë të dytë po flasim për 4%. Ne e kemi dëgjuar këtë dezinformatë dhe e kuptojmë që vjen nga Rusia, pasi kemi prova se këto shifra aktualisht diskutohen mes Amerikës dhe Rusisë.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Deklaratat e Trampit për t’i dhënë fund konfliktit janë mirëpritur nga Moska. Sipas ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, Trampi është politikani i parë që kundërshton aspiratat e Ukrainës për NATO, që janë faktorë kryesorë për konfliktin.
“Ai është i pari dhe deri më tani, për mendimin tim, i vetmi lider perëndimor që ka thënë publikisht dhe me zë të lartë se një nga shkaqet kryesore të situatës në Ukrainë ishte linja e pacipë e administratës së mëparshme për tërheqjen e Ukrainës në NATO. Asnjë lider perëndimor nuk e ka thënë ndonjëherë këtë. Por, ai e ka përcjellë këtë ide disa herë. Ky tashmë është një sinjal se ai e kupton pozicionin tonë.”, - u shpreh ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.
Aktualisht i dërguari special i presidentit Tramp ndodhet në Kiev. Ai tha se e kuptonte nevojën e Ukrainës për garanci sigurie, por më herët e kishte bërë të qartë se evropianët nuk do të lejoheshin të merrnin pjesë në negociata.
“Ne e kuptojmë nevojën e Ukrainës për garanci sigurie. Ne u futëm për pavarësinë e këtij kombi, por kjo luftë po vazhdon për tre vjet. Presidenti Tramp ka të drejtë, është një luftë, që besoj se nuk do të kishte filluar nëse ai do të ishte president. Është një luftë skandaloze dhe presidenti e kupton vuajtjen njerëzore, ai e kupton dëmin.", - theksoi i dërguari special i presidentit Tramp, Josep Keith Kellog.
Pas takimit negociues të së martës mes Rusisë dhe ShBA-së në Arabinë Saudite, ku fokusi kryesor ishte rivendosja e marrëdhënieve dypalëshe, një takim mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe atij amerikan, Donald Tramp, mund të zhvillohet madje gjatë javës së ardhshme, njoftoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov. Por, përveç Ukrainës, edhe Evropa ndjehet e anashkaluar. Të hënën, në Paris u mbajt një takim urgjent, ndërsa presidenti i Francës, Emanuel Mackon, ka paralajmëruar edhe samitin e dytë për luftën në Ukrainë dhe sigurinë evropiane, ku do të marrin pjesë disa shtete evropiane dhe joevropiane, që nuk ishin pjesë e një takimi të parë. Qëndrimi i përbashkët është se Evropa duhet të ketë rol në bisedimet e paqes për përfundimin e luftës në Ukrainë.
FARIJE DAUTI BAKIJU