Maqedoni
BDI: Po bëhet spastrim etnik në shërbimet sekrete
19.02.2025 16:39
BDI ka kritikuar pushtetin se po bëhet spastrim etnik në shërbimet sekrete të vendit....

BDI ka kritikuar pushtetin se po bëhet spastrim etnik në shërbimet sekrete të vendit.
“Për herë të parë që nga viti 2001, asnjë pozicion drejtues - drejtor, zëvendësdrejtor apo ndihmësdrejtor - në tre agjencitë kryesore të sigurisë së shtetit, përfshirë Agjencinë e Inteligjencës, Agjencinë e Sigurisë Kombëtare dhe Agjencinë e Inteligjencës Ushtarake, nuk mbahet nga shqiptarët, theksojnë nga BDI. Ky përjashtim masiv nuk është thjesht një akt diskriminimi ndaj një populli që përbën shtyllë të stabilitetit të brendshëm dhe euroatlantik të vendit. Përkundrazi, është një spastrim i qëllimshëm, i mirëmenduar, që nuk ka për qëllim vetëm margjinalizimin, por ringjalljen e një mentaliteti të rrezikshëm që për dekada e ka parë popullsinë shqiptare si “armik të brendshëm”.”, thonë nga BDI.
“Informacionet e besueshme që flasin për punësimin masiv të dhjetëra, në mos qindra personave joshqiptarë në pozicione kyçe brenda shërbimeve sekrete, janë dëshmi se ky nuk është thjesht një proces administrativ, por një strategji për të kthyer agjencitë e sigurisë në instrumente të kontrollit politik dhe etnik, duke minuar në themel parimet e barazisë dhe përfaqësimit të drejtë. I bëjmë thirrje NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të gjithë faktorëve ndërkombëtarë që njohin dinamikat e sigurisë në Ballkan, të ndërhyjnë menjëherë dhe të mos lejojnë që ky spastrim të kalojë në heshtje.”, thuhet në kumtesën e BDI-së.
