Maqedoni

Vlerësimi i stazhit të anëtarëve të Këshillit Prokurorial, Osmani: Iniciativa është problematike dhe skandaloze

19.02.2025 17:51

Gjykata Kushtetuese ka nisur procedurë për vlerësimin e përvojës së punës...

Gjykata Kushtetuese ka nisur procedurë për vlerësimin e përvojës së punës të anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë që të vlerësohen pozitivisht dhe të avancojnë funksionin e tyre në Prokurori.
 
Gjykatësi, Osman Kadriu, këtë nismë e quajti dispozitë skandaloze nga këndvështrimi i ligjit dhe Kushtetutës. Sipas tij, një vlerësim i tillë është absurd dhe bie ndesh me ligjin dhe Kushtetutën.
 
“Si mund të vlerësohet pozitivisht puna e tyre dhe vlerësimi vlen vetëm për funksionin prokurorial dhe kryerjen e funksionit prokurorial. Funksioni prokurorial dhe puna e tyre vlerësohen pozitivisht dhe negativisht. Avancimi në karrierë arrihet vetëm për detyra dhe punë të kryera dhe kërkoj që anëtarët sa janë anëtarë të Këshillit të mos punojnë ligjërisht, objektivisht, faktikisht apo fizikisht si prokurorë. Funksioni i tyre është të kryejnë detyra të tjera dhe nuk paraqesin kualifikime për veprimtari prokuroriale.”, - deklaroi gjykatësi në Gjykatën Kushtetuese, Osman Kadriu.
 
Gjyqtarët e kushtetueses njëzëri e pranuan propozimin e Kadriut për fillimin e procedurës, por nuk e pranuan propozimin e tij për masë të përkohshme. Kadriu pret që Gjykata Kushtetuese ose ta shfuqizojë ose ta anulojë këtë dispozitë brenda një kohe shumë të shkurtër dhe të mos ketë më efekt juridik.
 
Tashmë vendimin do ta dërgojnë në Këshill, por nuk janë të obliguar të përgjigjen dhe pritet që gjyqtarët të vendosin se çfarë mase të përkohshme do të marrin në njërën nga seancat e ardhshme.
 
Ky vendim është rezultat i iniciativës së prokurores, Lençe Ristoska, sipas së cilës anëtarët e Këshillit të Prokurorëve Publikë të zgjedhur nga radhët e prokurorëve nuk kryejnë funksione prokuroriale gjatë mandatit dhe nuk mund të vlerësohen për "përvojë prokuroriale pozitive" në këtë periudhë.
 
“Pretendohet se kjo është një çështje që nuk mund të rregullohet me Rregullore, sepse fillimisht nuk ka qenë e rregulluar me ligj, kështu që lihet përshtypja se anëtarët i kanë dhënë vetes një të drejtë dhe përfitim që ligjvënësi nuk ua ka garantuar. Këtë përfitim e gëzojnë vetë anëtarët të cilët pas përfundimit të mandatit në Këshillin e Prokurorëve Publikë avancohen në pozita më të larta në prokuroritë publike.”, thuhet në iniciativën e prokurores, Ristoska.
 
Në seancën e sotme u shqyrtua edhe iniciativa për Kodin Zgjedhor, që konteston nenet 17 dhe 18, që kanë të bëjnë me nevojën për grumbullimin e 5 mijë nënshkrimeve për lista të pavarura këshilltarësh, por nuk u arrit shumica për shkak të votës së barabartë, pasi mungonte gjykatësja, Ana Pavlovska Daneva. Votimi do të përsëritet në seancën e ardhshme.
 
ARMEND MURSELI