Maqedoni

Iniciativa për shkarkimin e kryeprokurorit, Mexhiti: Bisedojmë për profesionist, jo për emër

20.02.2025 14:13

Pas iniciativës për shkarkimin e kryeprokurorit, Ljupço Kocevski...

Pas iniciativës për shkarkimin e kryeprokurorit, Ljupço Kocevski, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti nuk zbulon detaje për emrin se kush do ta zëvendësojë kryeprokurorin. Thotë se nuk është biseduar për emër, por për profesionist të përkushtuar.
 
“Në parim nuk flasim për një emër, por flasim për faktin se ai duhet të jetë një profesionist dhe i përkushtuar, që do të kontribuojë për të rikthyer besimin e qytetarëve në gjyqësor dhe prokurori.”, - deklaroi zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti.
 
Ndërkohë, vazhdojnë akuzat e ndërsjella mes Qeverisë dhe opozitës se kush po partizon Prokurorinë. Sipas socialdemokratëve, shkarkimi i Kocevskit është tentim i VMRO-DPMNE-së për të instaluar një pasardhës partiak. Ndryshe mendon VMRO-DPMNE, sipas së cilës kryeprokurori i deritanishëm ka mbrojtur krimet e LSDM-së dhe se shkarkimi i tij është i domosdoshëm.
 
“Ljupço Kocevski lejoi përhapjen e metastazave të LSD-së në gjyqësor. Ljupço Kocevski si kryetar i Prokurorisë Publike tregoi se është i paaftë për të realizuar raste të korrupsionit të lartë, sepse po mbronte mbretërit e krimit dhe korrupsionit, LSD-në. Në qarqet publike dhe profesionale nuk ka asnjë argument pse duhet të qëndrojë Ljupço Kocevski dhe një milion arsye pse duhet të largohet. Është koha për përgjegjësi.”, - theksoi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
 
Pas seancës së të martës, Qeveria ka porositur Ministrinë e Drejtësisë që të paraqesë propozimin për shkarkimin e prokurorit të shtetit, Ljupço Kocevski. Propozimi më pas do t'i dërgohet Këshillit të Prokurorëve Publikë, nga ku duhet të merret mendim.
 
Ndryshe, sipas Ligjit për Prokurorinë Publike, me propozim të Qeverisë, prokurorin republikan e emëron Kuvendi për një periudhë prej gjashtë vitesh me të drejtë riemërimi.
 
FLORIJE KAMBERI