Maqedoni

Simbolet shtetërore, Mexhiti: Nuk ka negociata për stemën dhe himnin

20.02.2025 14:32

Qeveria nuk po negocion për ndryshimin e stemës dhe himnit shtetëror...

Qeveria nuk po negocion për ndryshimin e stemës dhe himnit shtetëror, deklaroi zëvendëskryeministri, Mexhiti, duke mos përjashtuar që këto tema të diskutohen në të ardhmen.
 
Ai tha se me kryeministrin nuk kanë biseduar fare për ndryshimin e stemës dhe himnit, por se kjo nuk është temë tabu në Qeveri. Sipas Mexhitit, Maqedonia për momentin ka çështje më të rëndësishme sesa ndryshimi i simboleve shtetërore.
 
“Në fokus e kemi programin qeveritar, ku janë përcaktuar shtyllat. Nuk ka negociata në lidhje me himnin, stemën, por nuk ka as tema tabu, pra bisedojmë. Ekziston një marrëveshje politike për programin qeveritar, i cili ka shtylla të përcaktuara, siç janë zhvillimi ekonomik, standardi i jetesës, integrimi në BE, rikthimi i shtetit të së drejtës dhe decentralizimi. Këto janë në fokusin tonë të përditshëm dhe jemi plotësisht të përkushtuar ndaj këtyre shtyllave. Nuk dua të hyj në diçka për të cilën nuk ka negociata dhe marrëveshje politike. Nuk fshehim asgjë.“, - deklaroi zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti. 
 
Simbolet shtetërore, BDI: Qeveria po defokuson opinionin
 
Përndryshe edhe partitë tjera të koalicionit qeveritar kanë deklaruar se ndryshimi i himnit shtetëror nuk është temë diskutimi. Ndërkohë, BDI vlerëson se temat e simboleve shtetërore po bëhen, me qëllim të defokusimit të opinionit nga izolimi i vendit dhe inflacioni i lartë.
 
“Familjet e zakonshme nuk mund të përballojnë më koston e jetesës, ndërsa Qeveria vazhdon të merret me çështje të pavlera dhe debate të qëllimshme, si ajo e stemës për të shmangur vëmendjen nga dështimet e saj. Inflacioni i pakontrolluar ka shkatërruar fuqinë blerëse, qytetarët paguajnë gjithnjë e më shumë për të siguruar nevojat bazë, por nuk marrin asnjë ndihmë nga institucionet shtetërore për të lehtësuar barrën e qytetarëve që sot ndodhen në prag të mbijetesës.”, thuhet në reagimin e BDI-së.
 
Ndërkohë, zëvendëskryeministri Mexhiti ka komentuar edhe për bashkëpunimin me partnerët e koalicionit në zgjedhje, duke thënë se është e natyrshme që partnerët qeveritarë të bashkëpunojnë në zgjedhje, ndërsa sa i përket ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, Mexhiti deklaroi se projekt-ligji është duke u finalizuar. 
 
ERSAN PAJAZITI