Maqedoni
Neziri: kriza politike dëmton ekonominë e vendit
07.05.2015 14:41
Kriza politike ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik në vend, përfshirë edhe sektorin e turizmit, vlerëson ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri...

Ai thekson se tani për tani nuk janë bërë përllogaritje, por nëse kriza zgjat, pasojat mbi ekonominë vendore do të jenë evidente.
“Situata politike ndikon në zhvillimin ekonomik në vend, ndikon në aspekt negativ. Në këtë fazë aspektet negative janë ende të paevidentuara, ende janë të vogla, mirëpo nëse ende kjo situatë politike vazhdon me këtë ecuri siç ka filluar, unë besoj që në staza afatmesme do të kemi probleme serioze për zhvillimin ekonomik në vend”- deklaroi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
Këto komente ministri Neziri i bëri gjatë konferencës rajonale të turizmit, ku theksoi se Ministria e Ekonomisë në vazhdimësi punon në ngritjen e turizmit në vend.
Në këtë konferencë ishte e pranishme edhe zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit në Shqipërisë, Brunilda Paskali, e cila mes tjerash thekoi nevojën e paketave të përbashkëta rajonale.
“Është shumë e rëndësishme që vendet tona të ofrojnë atë që ne kemi mundësi ta ofrojmë, trashëgiminë tonë kulturore, historike dhe ofrimin e gjithë bukurive natyrore dhe trashëgimore që kemi si vende. Pra, edhe unë personalisht e shikoj si një moment shumë të rëndësishëm këtë konferencë për të krijuar paketa të përbashkëta”- tha zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit në Shqipëri, Brunilda Paskali.
Sa i përket zhvillimit të turizmit, këtë qëllim ka edhe Panairi i Turizmit i hapur në Shkup, ku shumë agjenci kanë mundësi të prezantojnë ofertën e tyre për këtë sezon turistik.
ERSAN PAJAZITI
