Komisioni për Ndjekjen e Komunikimeve do të mbikëqyrë Agjencinë teknike - operative

20.02.2025 15:01

Pas tetë muajsh për herë të parë përbërja e re e Komisionit....

Pas tetë muajsh për herë të parë përbërja e re e Komisionit për Mbikëqyrjen e Zbatimit të Masave për Ndjekjen e Komunikimeve do të bëjë mbikëqyrjen e rregullt të Agjencisë Teknike - Operative ATO.

Kështu u vendos në seancën e dytë të këtij komisioni, pasi që me shumicë votash, anëtarët miratuan konkluzionin e nevojshëm për të inspektuar ATO-n. 

“Ne kemi sjellë udhëzim në bazë të cilit do të realizohet mënyra e  mbikëqyrjes së Agjencisë Teknike Operative, e cila komisioni në përputhje me rregulloren e punës duhet të respektojë dhe zbatojë të njëjtat. Këtë mbikëqyrje planifikojmë të bëjmë sa më parë.”, - deklaroi kryetari i Komisionit për Ndjekjen e Komunikimeve, Mile Talevski.

Para anëtarëve të këtij komisioni përsëri u gjet në rend dite shpallja e thirrjes publike për angazhimin e dy ekspertëve teknikë për mbështetjen e punës së këtij komisioni.

Vendosën përsëri të shpallin thirrjen publike për përzgjedhjen e dy ekspertëve të jashtëm, pasi që thirrja paraprake dështoi, ku në vend të dy u paraqit vetëm një kandidat, i cili u refuzua për shkak se nuk i përmbushte kushtet e nevojshme.

“Konstatuam se shpallja publike është e pasuksesshme, për shkak se nuk u paraqitën kandidatë, të cilët i plotësojnë kushtet e nevojshme të parashikuara në ligjin për ndjekjen e komunikimeve. Tani do ta shpallim thirrjen e re publike, pasi që kjo për ne është me rëndësi të veçantë, duke marrë parasysh se nëse dëshirojmë të bëjmë mbikëqyrje të vërtetë, duhet medoemos të kemi të angazhuar ekspertë të mirë, të cilët do të ndihmojnë gjatë procesit të punës.”, - theksoi kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Zbatimit të Masave për Ndjekjen e Komunikimeve, Mile Talevski.

Në seancë anëtarët votuan pozitivisht edhe raportin vjetor të punës së këtij komisioni për vitin 2024. (Rexhep Qamili, TVM2)