Maqedoni
Ulen çmimet e 1.000 produkteve ushqimore, Qytetarët: Nuk vërejmë ulje të çmimeve
20.02.2025 16:36
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut pritet të përfitojnë nga ulja e çmimeve...

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut pritet të përfitojnë nga ulja e çmimeve të mbi 1.000 produkteve bazë, me çka synon lehtësimin e barrës ekonomike të qytetarëve. Kjo iniciativë vjen si rezultat i marrëveshjeve mes institucioneve shtetërore dhe sektorit tregtar, duke synuar stabilizimin e tregut dhe rritjen e fuqisë blerëse.
Qytetarët e anketuar nga TVM2 thonë se nuk vërejnë ulje të çmimeve, theksojnë se në bazë të standardit duhet edhe më shumë të ulen çmimet e produkteve bazë.
“150-200 euro marr pension, jo për 10 ditë.”, - tha një qytetar.
“Jo, më shtrenjtë, s’ka dallim asgjë. Të gjitha, asnjë s’është më lirë. Mendoj, por s’ka efekt asgjë.”, - tha një qytetar tjetër.
“Çmimet katastrofë, vetëm po thonë se më lirë.”, - u shpreh një qytetar.
“Shtrenjtë janë në përgjithësi. Duhet se dikush nuk mundet të kalojë muajin, dikush ka më shumë, por shumica nuk kanë. Qumështi, djathi, ato janë më elementare.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
Sipas Odës së Tregtarëve, me vendimet e Qeverisë nuk do të përfshihen 1.000 produkte, por 3.000 - 4.000 produkte, duke i përfshirë të gjitha llojet e qumështit me yndyra të ndryshme, si dhe produkte, siç janë detergjentet dhe sapunët.
“I gjithë sektori ka të njëjtin shqetësim, megjithëse ka paraqitur propozime konkrete në Qeveri, Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës dhe Inspektoratin Shtetëror të Tregut, të cilat pasqyrojnë situatën reale. Këto propozime ishin me kërkesë të Qeverisë. Ato synojnë të ofrojnë masa efektive për uljen e çmimeve, duke mos rrezikuar në të njëjtën kohë mbijetesën e ndërmarrjeve tregtare. Prandaj, propozojmë që Qeveria t’i shqyrtojë më seriozisht propozimet tona të arsyetuara, të cilat janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, para se të marrë vendime të tilla serioze, të cilat mund të shkaktojnë dëm të madh për të gjitha subjektet ekonomike të përfshira në veprimtarinë tregtare.”, informuan nga Oda e Tregtarëve.
Autoritetet premtojnë mbikëqyrje të rreptë për të siguruar që kjo masë të zbatohet në dobi të konsumatorëve dhe të shmangen spekulimet në treg.
VLORA LATIFI TOPOJANI
