Botë
Hamasi ktheu në Izrael trupat e 4 viktimave, Netanjahu: Ditë e rëndë për Izraelin
20.02.2025 17:14
Hamasi dorëzoi trupat e katër pengjeve izraelite...

Hamasi dorëzoi trupat e katër pengjeve izraelite, duke përfshirë një nënë dhe dy fëmijët e saj. Presidenti i Izraelit, Isak Hercog, tha se kjo është tragjedi kombëtare, ndërkohë që edhe kryeministri, Benjamin Netanjahu, shprehu keqardhje dhe tha se kjo ditë është e rëndë dhe е trishtueshme për Izraelin.
“Po i kthejmë në shtëpi katër pengje tona të vdekura. Këtu e shohim se me kë kemi punë, me përbindësh, por jemi të vendosur që të kujdesemi që mos të na përsëriten raste të njëjta.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Hamasi: Netanjahu dhe ushtria e tij naziste i vranë me raketa
Përpara dorëzimit, militantët e Hamasit vendosën katër arkivole të zeza në një skenë në Kan Jounis, pas së cilës ishte një sfond propagandistik me slogane në arabisht, hebraisht dhe anglisht.
“Krimineli i luftës, Netanjahu, dhe ushtria e tij naziste i vranë me raketa nga avionët luftarakë.”, shkruhej në poster.
Hamasi është gati të lirojë gjashtë pengje të gjalla të shtunën në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë dhe thotë se do të lirojë katër trupa të tjerë javën e ardhshme, duke përfunduar fazën e parë të armëpushimit.
Palët janë në përpjekje për të arritur një marrëveshje për fazën e dytë të negociatave, e cila synon lirimin e rreth 60 pengjeve të mbetur – më pak se gjysma e të cilëve mendohet se janë ende gjallë – si dhe tërheqjen e plotë të trupave izraelite nga Rripi i Gazës, me qëllim përfundimin e luftës.
ARMEND MURSELI
