Botë

ShBA – Ukrainë, negociatat për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë

20.02.2025 17:33

Rusia mban kartat në çdo bisedim paqeje për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë...

Rusia mban kartat në çdo bisedim paqeje për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, sepse ka pushtuar kaq shumë territore, thotë presidenti amerikan, Donald Tramp. Ai e quajti Zelenskin një diktator dhe e kritikoi vazhdimisht për refuzimin e zgjedhjeve dhe për vlerësim të ulët të pëlqimit në sondazhet e Ukrainës.
 
"Një komedian modest i suksesshëm, presidenti Zelenski, i tha Shteteve të Bashkuara të shpenzonin 350 miliardë dollarë për të hyrë në një luftë që ishte thelbësisht e pafituar, që nuk duhet të kishte filluar kurrë nëse unë do të isha president. Refuzon të ketë zgjedhje, është i ngadalshëm. Një diktator pa zgjedhje. Zelenski më mirë të lëvizë shpejt. Atij nuk do t'i mbetet tokë. Duhet të ecë shpejt, sepse lufta po shkon në drejtimin e gabuar. Ndërkohë, ne po negociojmë me sukses përfundimin e luftës me Rusinë.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Tonet e ashpra nga Uashingtoni vijnë pasi presidenti ukrainas tha se Trampi po jeton në një hapësirë dezinformimi të krijuar nga Moska. Udhëheqësi i shumicës në Senat, Xhon Tun u distancua nga deklarata e Trampit. Lideri demokrat, Shumer, kritikon presidentin amerikan.
 
"Ajo që unë mbështes është një rezultat dhe rezultat paqësor në Ukrainë. Aktualisht, administrata, presidenti dhe ekipi i tij po punojnë për ta arritur këtë. Dhe unë mendoj se ju duhet t'u jepni atyre pak hapësirë tani.", - theksoi udhëheqësi republikan i Senatit, Xhon Tun. 
 
“Në vend që të thoshte të vërtetën, në vend që të pranonte rolin e Vladimir Putinit në fillimin e kësaj lufte, presidenti Tramp, në mënyrë të jashtëzakonshme, fajësoi Ukrainën për pushtimin. Nëse i dorëzohemi Putinit tani, Amerika në mënyrë të pashmangshme do ta paguajë çmimin më vonë. Historia e ka treguar këtë.", - u shpreh udhëheqësi i demokratëve të Senatit, Çak Shumer.
 
Disa liderë evropianë thonë se është e rrezikshme të kundërshtohet legjitimiteti i Zelenskit, i cili u zgjodh në mënyrë demokratike.
 
“Rusia ishte ajo që filloi luftën. Presidenti Zelenski u zgjodh në mënyrë demokratike. Unë besoj se askush nuk dëshiron zgjedhje më shumë se ukrainasit, sepse zgjedhjet do të nënkuptonin se paqja është vendosur dhe se ata mund të vendosin përsëri për vendin e tyre.", - theksoi kryeministri i Suedisë, Ulf Kristerson.
 
I dërguari i posaçëm i ShBA-së, Keit Kellog, është në Kiev. Takimi vjen pas një takimi në Riad midis ShBA-së dhe Rusisë, për të cilin Ukraina shprehu pakënaqësinë. Anëtarët e BE-së janë gjithashtu të pakënaqur me takimin dypalësh në Arabinë Saudite.
 
Presidenti francez mbajti një tjetër samit për Ukrainën dhe do të vizitojë Uashingtonin javën e ardhshme. Kryeministri britanik, Keir Starmer, gjithashtu do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara gjatë së njëjtës periudhë, konfirmoi këshilltari i Trampit për sigurinë kombëtare, Volc.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI