Tel Aviv, shpërthim i autobusëve bosh, Izraeli: Kemi sulm terrorist

21.02.2025 13:11

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu...

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, ka urdhëruar ushtrinë izraelite të ndërmarrë një operacion në Bregun Perëndimor të okupuar, pasi tre autobusë bosh shpërthyen në atë që Izraeli e quan një sulm terrorist pranë Tel Avivit.

Nuk pati viktima dhe askush nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për shpërthimet, të cilat ndodhën kur pajisjet shpërthyese të vendosura në automjetet bosh u aktivizuan me pak diferencë kohore në qytetet Bat Jam dhe Holon, në jug të qendrës financiare të Izraelit. Izraeli ka forcuar masat e sigurisë dhe ka pezulluar trafikun e autobusëve dhe trenave në mbarë vendin pas shpërthimeve, të cilat në një deklaratë nga zyra e kryeministrit u quajtën “përpjekje për të kryer një seri sulmesh masive me bomba në autobusë”.

Shpërthimet e autobusëve ndodhën vetëm disa orë pasi grupi palestinez Hamas dorëzoi katër trupa të pajetë të pengjeve izraelite. Trupat u dorëzuan si pjesë e një marrëveshjeje për armëpushim të arritur muajin e kaluar, e cila javët e fundit duket e paqëndrueshme, ndërsa Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të marrëveshjes. Izraeli e akuzoi të enjten Hamasin për shkelje të marrëveshjes, pasi ky i fundit dorëzoi mbetjet mortore në një arkivol të vetëm, për të cilat u konstatua se nuk përputheshin me asnjë nga pengjet.

Ndryshe, Forcat Mbrojtëse të Izraelit nisën një fushatë të madhe – “Operacioni Muri i Hekurt” – të fokusuar në veriun e Bregut Perëndimor muajin e kaluar, vetëm dy ditë pasi filloi armëpushimi në Gazë, duke deklaruar se synimi ishte eliminimi i “terroristëve dhe infrastrukturës terroriste”, si dhe “sigurimi që terrorizmi të mos rikthehet” pas përfundimit të tij.

Sipas të dhënave të OKB-së, operacioni ka zhvendosur të paktën 40 mijë palestinezë nga veriu i Bregut Perëndimor nga shtëpitë e tyre, sipas të dhënave të OKB-së.