Maqedoni
Incident me pasoja tragjike në Merovë, 2 të vrarë dhe 3 të plagosur
07.05.2015 15:51
Mëngjesin e sotëm, në Merovë të Komunës së Zhelinës, gjatë një zënke janë vrarë me armë zjarri dy vëllezër të moshës 23 dhe 25 vjeç...

Mëngjesin e sotëm, në Merovë të Komunës së Zhelinës, gjatë një zënke janë vrarë me armë zjarri dy vëllezër të moshës 23 dhe 25 vjeç, ndërsa 3 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, dy prej të cilëve për shkak të plagëve të rënda janë dërguar për kurim në Shkup.
Nga Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë konfirmojnë incidentin, duke bërë të ditur se njëri nga viktimat kishte ndërruar jetë menjëherë në vendngjarje, ndërsa njëri nga të plagosurit ka vdekur gjatë rrugës për në Spitalin e Tetovës.
“Rreth orës 7 e gjysmë, në Departamentin e Kirurgjisë të Spitalit Klinik të Tetovës fillimisht u sollën dy persona të lënduar me armë zjarri, që kishin lëndime të rënda. Për shkak të natyrës së lëndimit, pas trajtimit fillestar në departamentin tonë ata u përcollën për në klinikat universitare në Shkup. Më vonë u soll edhe trupi i pajetë i një tjetër të lënduari nga arma e zjarrit, i cili ishte pa shenja jete, dhe në departamentin tonë vetëm sa u konstatua vdekja e tij”- deklaroi mjeku në Klinikën e Tetovës, Ylber Besimi.
Pas incidentit, në vendngjarje kanë dalë ekipe të Prokurorisë së Tetovës, nga e cila informojnë se: “Përplasja mes dy grupeve ka ardhur pas një sherri me fjalë, i nisur që në orën 6 të mëngjesit. Palët kanë qenë në lidhje familjare mes tyre. Në këtë sherr janë përdorur edhe armë zjarri, nga i cili humbën jetën dy vëllezër, ndërsa babai i tyre ka pësuar lëndime trupore. Nga pala tjetër e përfshirë në këtë konflikt kanë mbetur të plagosur rëndë dy persona. Hetimi për zbardhjen e rastit, vazhdon!”- informojnë nga Prokuroria e Tetovës.
Megjithëse zyrtarisht nuk është konfirmuar, jozyrtarisht mësohet se deri te incidenti tragjik ka ardhur për shkak të mosmarrëveshjeve rreth ndarjes së tufës së dhenve.
VISAR SADIKI
