Dita ndërkombëtare e gjuhës amtare, Gjuha, thelb i identitetit kombëtar
Gjuha shqipe është e lodhur nga politika...

“Gjuha shqipe është e lodhur nga politika. Ndonëse ka një nivel të avancuar të përdorimit zyrtar, ende duhet përmirësuar.”.
Gashi: Gjuha shqipe është lodhur nga politika
Kështu vlerësoi kryeparlamentari, Afrim Gashi, me rastin e ditës ndërkombëtare të gjuhës amtare, duke shtuar se është momenti për të reflektuar mbi domosdoshmërinë e kultivimit dhe promovimit të gjuhës si thelb i identitetit tonë kombëtar.
“Gjuha shqipe është lodhur nga politika. Kjo shpesh ma kujton ëndrrën që e përshkruan Faik Konica, në të cilën i shfaqet një grua e bukur, por e veshur me lecka, me ç’rast i thotë, unë jam gjuha shqipe e hidhëruar nga mundimet që po heq dhe rreziqet që me rrethojnë. Vlerësoj se zyrtarizimi dhe avancimi i statusit dhe përdorimit të gjuhës shqipe duhet të trajtohet përtej interesave politike për të shmangur keqpërdorimet.”, - deklaroi kryeparlamentari, Afrim Gashi.
Mexhiti: Nuk jemi statistikë, por pjesë e shtetit
Zëvendëskryeministri i parë i vendit, Izet Mexhiti, tha se formulimet e papërshtatshme, ku përmendi 20%-shin, duhet të zëvendësohen me terme të cilat janë politikisht dhe etnikisht të pranueshme. Ai tha se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk janë statistikë, por pjesë e pandashme e shtetit.
“Kushtetuta duhet të prodhojë zgjidhje, jo të krijojë probleme apo frustracione. Qëllimi ynë është forcimi i themeleve të shtetit përmes një Kushtetute gjithëpërfshirëse, e cila ofron qartësi dhe drejtësi. Formulime të papërshtatshme si 20%-shi i popullsisë, duhet të zëvendësohen me terme politikisht dhe etnikisht të pranueshme, pra, kuotat nuk mund të jenë zëvendësim për gjuhën amtare dhe kjo sidomos për shqiptarët është e vërtetë, të cilët nuk janë thjesht një përqindje, ata janë një realitet.”, - theksoi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
Osmani: Gjuha është mjet bashkimi, jo ndarjeje
Maqedonia është në mesin e vendeve që gjuhën e përdor si mjet përçarjeje e jo bashkimi, vlerëson drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Granit Osmani, sipas të cilit gjuha duhet të jetë mjet bashkimi dhe jo ndarjeje.
“Megjithëse janë bërë hapa para që nga miratimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve në vitin 2011, zbatimi i të cilit mbetet një sfidë e vazhdueshme, shumë herë institucionet refuzojnë të përdorin gjuhën shqipe në mënyrë të plotë duke krijuar ndjenja diskriminimi dhe frustrimi te qytetarët shqiptarë.”, - u shpreh drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, Granit Osmani.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës mbetet e përkushtuar ta avancojë arsimin në gjuhën amtare, por edhe të sigurojë cilësi në edukim.
“Duke investuar në edukimin dhe arsimin në gjuhën amtare, ne nuk po bëjmë një shërbim ndaj brezave të sotëm, por po hedhim themelet për një shoqëri më të hapur, më të ndërgjegjshme dhe më të pajisur për të përballuar sfidat e së ardhmes.”, - deklaroi zëvendësministri i Arsimit, Lulzim Aliu.
Profesori universitar, Jeton Shasivari, duke u ndalur te iniciativa në Gjykatën Kushtetuese për Ligjin e gjuhëve tha se kushtetuesja nuk e ka të lehtë ta kontestojnë një të drejtë që shqiptarët e kishin që nga sistemi i kaluar.
“Konstitucionalizmi ynë do të jetë seriozisht i sfiduar me këtë lëndë para Gjykatës Kushtetuese, sepse nuk e ka aq të lehtë gjykata të shfuqizojë, të zvogëlojë ose të heqë një të drejtë të fituar nga ish-sistemi socialist.”, - theksoi profesori universitar, Jeton Shasivari.
Ndërkohë më 20 mars në Gjykatën Kushtetuese do të mbahet seancë përgatitore, ku do të diskutohet rreth iniciativave për kushtetutshmërinë e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. (Florije Kamberi, TVM2)
