Maqedoni

Sveçla dhe Toshkovski: Në prill në funksion “One Stop Shop” në Bllacë

21.02.2025 16:07

Inspektimet e punimeve për realizimin e projektit “One Stop Shop”...

Inspektimet e punimeve për realizimin e projektit “One Stop Shop”, gjegjësisht kontrollet e përbashkëta në pikat kufitare, janë realizuar në bazë të dinamikës së paraparë dhe janë plotësuar të gjitha parakushtet që me të njëjtën të fillohet periudha e testimit, deklaruan në pikën kufitare në Bllacë ministrat e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, Pançe Toshkovski dhe Xhelal Sveçla. Sipas të dy ministrave në fjalë pritet që kjo periudhë e testimit të përfundojë më së voni deri në mbarim të muajit mars dhe nga muaji prill të fillojë realizimi zyrtar i saj. 
 
“Po fillohet të realizohen të gjitha përgatitjet për rrjetëzimin e të dyja sistemeve. Kishim mundësi ta shohim se si do të funksionojë ajo në mënyrë teknike në kuadër të një platforme. Besoj se e gjithë kjo fazë do të përfundojë deri në fund të muajit të ardhshëm dhe pres që më së voni deri në fillim të muajit prill të fillojë zbatimi oficial i kësaj në praktikë kufitare.”, - deklaroi ministri i MPB-së, Pançe Toshkovski.
 
Edhe ministri kosovar, Sveçla, u shpreh i kënaqur me dinamikën e realizuar dhe shpreson se kjo praktikë, e cila tanimë po realizohet me Shqipërinë, do t’i japë efektet edhe në RMV.
 
“Jam shumë i kënaqur që jam këtu në inspektim të punimeve të kryera deri më tani, në drejtim të implementimit të marrëveshjes mes të dyja shteteve për kalim të lehtësuar të qytetarëve duke pasur vetëm një kontroll, ashtu siç njihet si “One Stop Shop”. Shpresoj se edhe faza testuese do të kalojë me sukses dhe e gjitha të implementohet në një afat sa më të shpejtë të mundshëm.”, - theksoi ministri i MPB-së së Kosovës, Xhelal Sveçla. 
 
Mexhiti: “One stop shop” lehtëson lëvizjen
 
Ky projekt do ta lehtësojë dukshëm lëvizjen në të dyja anët e kufirit, theksoi numri dy i Qeverisë, Izet Mexhiti. 
 
“Dua t’i përgëzoj edhe ministrin Toshkovski dhe ministrin Sveçla për intensifikimin e punimeve dhe realizimin e këtij projekti “One stop shop”, që dukshëm do ta lehtësojë lëvizjen e njerëzve nga të dyja anët.”, - u shpreh zëvendëskryeministri i Qeverisë së RMV-së, Izet Mexhiti.
 
Dy ministrat e brendshëm njëherit paralajmëruan realizimin edhe të disa punimeve ndërtimore për rritjen e kapaciteteve dhe vendeve të kontrollit, e cila do të mundësojë kalim sa më të shpejtë të qytetarëve. 
 
FITIM KRYEZIU