Maqedoni

Vizita e kryeministrit në Uashington, Rokas: ShBA-ja, partner strategjik për integrimin e RMV-së

21.02.2025 16:26

“ShBA-ja vazhdon të mbetet partneri më i rëndësishëm strategjik i BE-së...

“ShBA-ja vazhdon të mbetet partneri më i rëndësishëm strategjik i BE-së, ndaj vetë vizita e kryeministrit tuaj në ShBA tregon se përpjekjet për kontributin e ShBA-së në aspektin e procesit eurointegrues të Maqedonisë së Veriut janë më shumë se të mirëpritura.”.
 
Kështu euroambasadori, Mihalis Rokas, deklaroi pasi u pyet  se si ai i sheh vizitat e shpeshta të kryeministrit të Maqedonisë në ShBA-së dhe nëse kjo mund të interpretohet si një largim i vendit nga rruga europiane. 
 
“Ashtu siç e dini, relacionet transatlantike janë relacionet më të rëndësishme në të gjithë botën, ashtu që ne si BE e vlerësojmë ShBA-në për një nga partnerët kryesor strategjik që i kemi në botë, ashtu që vet vizita e kryeministrit tuaj në ShBA, tregon se nëse ShBA-ja është e gatshme që të japë kontributin e saj për përshpejtimin e procesit apo rrugës eurointegruese të vendit tuaj, kuptohet se përpjekjet e tilla janë më se të mirëseardhura.”, - deklaroi ambasadori i BE-së në Shkup, Mihalis Rokas. 
 
Mickoski në Uashington me kritika për BE-në: RMV-ja po qëndron në vendnumëro
 
Ndërkohë, kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, në Uashington ka përsëritur zhgënjimin e tij nga qasja e BE-së ndaj vendit në rrugës e saj integruese.
 
Mickoski tha se Maqedonia ka bërë shumë sakrifica dhe marrëveshje të këqija për hir të integrimit evropian të vendit, por megjithatë Maqedonia e Veriut po qëndron në të njëjtin pozicion si para 20 viteve. 
 
“Pengesa e radhës kërkon që të fusin disa qindra qytetarë nga komuniteti bullgar në Kushtetutë, që nuk është punë e madhe, pyetja është përse. Flasim për të drejtat e njeriut kur Gjykata për të Drejtat e Njeriut në Strazburg ka konstatuar se 14 herë janë shkelur të drejtat e komunitetit maqedonas në Bullgari dhe 0 herë të komunitetit bullgar në Maqedoni. Si t’ua shpjegojmë këtë qytetarëve?! Do të bëjmë ndryshime kushtetuese, kur do të përfundojmë negociatat, për shkak se kemi droje se do të shndërrohet në një përallë pa fund.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski. 
 
Përndryshe, vizita e Mickoskit në Uashington vjen pas pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku ai ripërsëriti shqetësimet mbi trajtimin që po i bëhet Maqedonisë së Veriut.
 
Nga ana tjetër, pala bullgare ka mbajtur qëndrim të prerë mbi ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se ky është një kusht i panegociueshëm për avancimin e vendit drejt BE-së. 
 
ERSAN PAJAZITI