Maqedoni

Akademia Shqiptare për Shkencë dhe Art, Davkova, kundër akademisë shqiptare

21.02.2025 16:45

Presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova...

Presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova, është e mendimit se në vend duhet të ekzistojë vetëm një Akademi e Shkencave dhe Arteve dhe në të të angazhohen figura të kualifikuara nga etnikumet e ndryshme të vendit. Për të nuk ka vend për Akademi shqiptare.
 
“Akademitë nuk janë institucione etnike, akademitë janë institucione shkencore, arsimore dhe artistike. Në akademitë botërore nuk ulen vetëm njerëz të atij shteti, por edhe të shteteve të tjera, më së paku akademia mund të jetë institucion lokal. Kur them “nacionale” nuk mendoj në kuptim nacional etnik maqedonas, mendoj për më të mençurit, më të arsimuarit, nuk besoj se ka nevojë për siç thoni “akademi të shqiptarëve”, sepse kjo nuk është akademi e maqedonasve.”, - deklaroi kryetarja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova.
Popov: S’kemi diskriminuar askënd 
 
Në linjë të njëjtë me presidenten është edhe kreu i AShAM-it, Zhivko Popov. 
 
“Emri “maqedonase” rrjedh nga emri “Maqedonia”, që nuk do të thotë se akademia maqedonase i takon vetëm popullit maqedonas. Është akademi nacionale i maqedonasve si popull shumicë, kuptohet të cilët para së gjithash janë themelues të akademisë, megjithatë edhe e të gjithë pakicave, respektivisht popujve tjerë. Dijenitë e mia flasin se ne nuk kemi diskriminuar askënd. Asnjëherë s’është vlerësuar me përqindje. Pranimi duhet të bazohet me meritë, sistem, kualitet dhe jo nën çelësin nacional.”, - theksoi kryetari i AShAM-it, Zhivko Popov. 
 
Davkova: Himni s’duhet ndryshuar, për stemën s’është koha
 
Sa i përket debatit mbi ndryshimin e stemës dhe himnit, presidentja thotë se himni shpreh historinë e vendit dhe nuk ka nevojë të ndryshohet, ndërsa për stemën vlerëson se nuk është momenti.
 
“Nëse më pyesni për himnin, absolutisht mendoj se nuk ka nevojë të ndryshohet. Himni asnjëherë nuk paraqet të tanishmen, gjithmonë shpreh kujtesën historike, gjenezën dhe ne nuk kemi të drejtë ta ndryshojmë. Dilema ime është se çdoherë kur bisedojmë për çështje etnike, simbole e me radhë, me aq ndjenja e bëjmë sa që nuk na mbetet kohë për t’u ballafaquar me dilemat e vërteta.”, - u shpreh kryetarja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova. 
 
Siljanovska u shpreh edhe për bllokimin e procesit eurointegrues të vendit. Fton Bashkimin Evropian që të propozojë zgjidhje kreative duke respektuar identitetin, në mënyrë që të vazhdohet me aspiratat, si dhe mos të bilateralizohet zgjerimi i Unionit.
 
Me Bullgarinë kontesti tejkalohet duke respektuar parimin e vetëpërcaktimit, përfundon presidentja e shtetit.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU