Botë
Bisedimet për paqe në Ukrainë, deri në fund të muajit takimi Tramp-Putin
21.02.2025 17:31
Deri në fund të muajit paralajmërohet takimi mes presidentit amerikan Donald Tramp...

Deri në fund të muajit paralajmërohet takimi mes presidentit amerikan Donald Tramp dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, në të cilin synohet t’i jepet fund luftës në Ukrainë. Zëdhënësi i Kremlinit, Peskov, thotë se përgatitjet kanë filluar.
“Nevoja për takim është evidente. Patjetër të përgatitemi për efikasitet më të lartë. Gjatë përgatitjeve do të diskutojmë për niansat e dallimeve.”, - deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.
Takimi Tramp-Putin varet nga përparimi në bisedimet për paqe në Ukrainë, thotë sekretari amerikan, Rubio. Por, zëvendëspresidenti amerikan, Vens, thotë se Evropa është një hap afër paqes.
“Pse bisedojmë me Rusinë?! Si do t’i japim fund luftës nëse nuk flasim me ata?! Do të flasim me të gjithë që janë të përfshirë në luftë. Tre vite nuk kishte paqe.”, - theksoi zëvendëspresidenti i ShBA-së, J.D. Vance.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, e ka cilësuar pozitive bisedën me emisarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ukrainën dhe Rusinë, Keit Kellog, pavarësisht paraqitjes së një shenje tjetër tensioni, kur u anulua një konferencë e planifikuar e përbashkët për media.
Zelenski tha në adresimin e tij të mbrëmjes se takimi “riktheu shpresën” dhe përsëriti se Ukrainës i nevojiten marrëveshje të forta me ShBA-në. Edhe Evropa e dëshiron rolin e saj në bisedimet për paqe në Ukrainë.
Për këtë qëllim, presidenti francez, Makron, të hënën e javës së ardhshme, kur edhe shënohet trevjetori i luftës në Ukrainë, do të vizitojë Shtëpinë e Bardhë. Ai ka paralajmëruar se do t’i kërkojë presidentit amerikan mosnënshtrim ndaj Putinit.
“Do t’i them hapur, nuk mund të nënshtrohesh ndaj Putinit. Atë që jeni, nuk është trendi juaj, nuk e ke në interes. Mund të jesh i fuqishëm me Kinën, nëse je i dobët me Rusinë.”, - u shpreh presidenti i Francës, Emanuel Makron.
Edhe kryeministri britanik ka paralajmëruar një vizitë në ShBA për të mërkurën. Britania ka thënë se mund të dislokojë trupa në Ukrainë nëse është e nevojshme që të sigurohet një paqe e qëndrueshme, por Londra ka insistuar se ShBA-ja do të duhet të ofrojë mbështetje.
Edhe sekretari i NATO-s, Mark Rute, ka deklaruar se çdo garanci evropiane e sigurisë për Ukrainën, nën një marrëveshje të mundshme të paqes me Rusinë, do të duhet të mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.
FITORE DEMOLLI
