Maqedoni
ASH-ja e Ziadin Selës: Ta bëjmë himnin si stemën, e jo stemën si himnin
21.02.2025 17:50
Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës, kanë reaguar në lidhje me debatin për stemën...

Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës, kanë reaguar në lidhje me debatin për stemën dhe simbolet tjera shtetërore.
Nga ASH thonë se ky debat është tentim për të shkelur edhe më shumë shqiptarët. Nga partia e Selës bëjnë thirrje që ndryshimi i 20%-shit të mos përzihet me stemën, duke shtuar se himni dhe flamuri duhet të deetnizohen si stema dhe jo e kundërta.
“Debati për stemën dhe simbolet e tjera shtetërore, ashtu siç po imponohet nga VMRO-ja dhe vasalët shqiptarë në Qeveri është vetëm një tentim për të shkelur edhe më shumë shqiptarët, për të etnizuar shtetin dhe për të forcuar diskriminimin ndaj të gjithë qytetarëve. Emërtimi i drejtë i gjuhës shqipe dhe ndryshimi i himnit dhe flamurit janë nevojë për të korrigjuar padrejtësitë dhe për të trajtuar, siç duhet bashkësitë etnike në vend. I gjithë monologu i partive në pushtet po zhvillohet në drejtim të gabuar. Një padrejtësi nuk mund të zgjidhet duke shkaktuar një padrejtësi tjetër. Etnizmi i stemës me luan nuk guxon të bëhet si çmim për heqjen e 20%-shit. Stema është simboli i vetëm që nuk ka element etnik maqedonas. Ne duhet ta bëjmë himnin si stemën dhe jo stemën si himnin.”, thonë nga ASh-ja e Ziadin Selës.
