Maqedoni
MPB: katër protestues do të përgjigjen për vepër penale, dy të arrestuar në protestat e djeshme
07.05.2015 16:32
Ministria e Punë të Brendshme ka ngritur padi penale për 4 protestuesit e pesë majit para qeverisë...

Ministria e Punë të Brendshme ka ngritur padi penale për 4 protestuesit e pesë majit para qeverisë, ndërsa kundër të arrestuarve të tjerë janë ngritur padi për kundërvajtje dhe u është shqiptuar dënim me gjoba, ka njoftuar zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.
Ai tha se dy nga personat për të cilët është ngritur padi penale për, siç tha ai, sjellje vandale ndaj pjesëtarëve të policisë, janë edhe më herët të njohur për policinë për shumë vepra të tjera penale dhe kundërvajtëse.
“Bëhet fjalë për 4 persona të cilët janë identifikuar se kanë marrë pjesë gjatë sulmeve vandale ndaj policisë, 2 prej të cilëve janë të identifikuar, janë mirë të njohur për policinë. Për të dyshuarin e parë deri më tani 40 herë janë paraqitur padi të ndryshme penale të ndërlidhura me vepra të rënda penale të llojit krim i dhunshëm, padi penale për vrasje me tentim, si dhe padi për dhunë dhe lëndime të rënda dhe shumë padi të tjera për vepra të rënda penale. Personi i dytë, i cili gjithashtu është i njohur për policinë, gjithashtu është i lajmëruar disa herë për disa vepra penale, si dhe mbi 30 padi për kundërvajtje, ku ka marrë pjesë në prishjen e rendit dhe qetësisë publike. Përveç këtyre 4 personave të cilët ndiqen penalisht për sjellje vandale ndaj policisë, janë identifikuar edhe 9 persona të tjerë, për të cilët po punohet me organet e tjera të prokurorisë”- deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.
Ndërkaq, gjatë protestave të mbrëmshme para kuvendit, Kotevski informoi se janë arrestuar dy persona, për të cilët janë ngritur padi për kundërvajtje për shkak të mosrespektimit të urdhrave të personave zyrtarë.
Po ashtu i pyetur rreth Ligjit për Përdorimin e Plumbave të Gomës, Kotevski tha se ai ka hyrë në fuqi, por nuk precizoi në cilat raste mund të përdoren të njëjtat, duke thënë se po zbatohen standardet që praktikojnë vendet demokratike.
“Sipas rregulloreve, saktësisht është e definuar se në çfarë situate mund të përdoret dhe mund të lexoni atë. Po zbatohen standardet të cilat i aplikon çdo polici në vendet perëndimore demokratike”- tha zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.
Identifikimi i personave pjesëmarrës që kanë shfaqur dhunë në protesta është zbuluar përmes video-incizimeve nga kamerat televizive, por dhe nga kamerat e sigurisë para objektit qeveritarë, sqaroi Kotevski, duke mohuar konkretisht të përgjigjet se nëse publikimi i tillë është në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Kotevski tha se nuk kanë njohuri kush fshihet pas protestave të dhunshme të pesë majit. Të arrestuarit akoma nuk japin të dhëna për zbardhjen e identitetit të organizatorit.
Ai tha se policia po punon në gjetjen e personave që mbrëmë sulmuan fizikisht dy gazetarë të TV Sitel dhe demoluan veturën e tyre.
FLORIJE KAMBERI-BELULI
