Botë
Kosovë, përfundon numërimi i votave të kandidatëve për deputetë
22.02.2025 14:04
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se të premten në mbrëmje, më 21 shkurt 2025...

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se të premten në mbrëmje, më 21 shkurt 2025, është përmbyllur procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimit të votave të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime më 9 shkurt 2025. Sipas KQZ-së, në 38 Qendrat Komunale të Numërimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ofruar transparencë të plotë të procesit të numërimit duke prezantuar në ekrane punën e çdo ekipi të numërimit, përfshirë pamjen e fletëvotimeve të plotësuara në vendvotime nga votuesit dhe krijimin e formularëve digjital.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se të premten në mbrëmje, është përmbyllur procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë. Gjatë kësaj periudhe, numri i vendvotimeve të rregullta që janë numëruar është 2,533. Përveç procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, është bërë edhe verifikimi i votave të subjekteve politike. Pas procesit të numërimit dhe verifikimit që është zhvilluar në Qendrat Komunale të Numërimit, KQZ ka publikuar në platformën elektronike rezultatet për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë.”, thonë nga KQZ.
Po ashtu, sipas KQZ-së me qëllim të rritjes së transparencës, ky institucion ka filluar me publikimin e formularëve të rezultateve për subjektet politike dhe kandidatët nga Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025. Këta formularë janë plotësuar në Qendra Komunale të Numërimit gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimit të rezultateve të subjekteve politike nga formularët e vendvotimeve.
Nga përfundimi I zgjedhjeve nënkuptojmë se Lëvizja VETËVENDOSJE ka fituar gjithsej 345.602 vota apo 40.90%, PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS – PDK ka fituar gjithsej 186.203 vota apo 22.03%, e treta është radhitur LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS – LDK me 149,075 vota apo 17.64%, Ndërsa Koalicioni ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS dhe Nisma Socialdemokrate, Konservatorët dhe Intelektualët kanë fituar gjithsej 63.034, apo 7.46%. Ndërsa partitë tjera nuk e kanë kaluar pragun zgjedhor.
FITIM KRYEZIU
