Maqedoni

Shkurtimi i fondeve nga USAID, ngecin disa projekte në Tetovë

22.02.2025 14:23

Lagja Krasniqi në Tetovë, si në kohë të gurit, baltë, bërllok papastërti gjithë andej kështu jetojnë me vite banorët e kësaj lagjeje që i takojnë komunitetit romë...

Lagja Krasniqi në Tetovë, si në kohë të gurit, baltë, bërllok papastërti gjithë andej kështu jetojnë me vite banorët e kësaj lagjeje që i takojnë komunitetit romë. Ata thonë se institucionet lokale por edhe ato qendrore nuk kanë interes për të investuar në këtë lagje edhe përkundër se ato i votojnë. Ata thotë se në këtë lagje jetojnë më shumë se 500 banorë në 33 shtëpi.
 
“Ne kërkojmë që të vendosen begatone, deri diku kemi, tjerat duhet të na sigurohen. Duam edhe drita të vendosen. 33 shtëpi jemi krejt dhe mbi 500 persona. Krejt para zgjedhjeve i kemi këtu po pastaj as njëri nuk vjen. E para herë që vjen Bilalli, tjerët që ishin para zgjedhjeve po, e pas zgjedhjeve nuk vinin. Unë i besoj Kasamit votat ja kemi dhënë e prap do ia japim.”, u shpreh një banor i lagjes Krasniqi.
 
Këtë lagje sot e vizitoi edhe i pari i Tetovës, nga afër i pa kushtet ku jetojnë dhe premtoi investime.
 
“Ashtu siç ka qenë prioriteti im që nga marrja e mandatit, realizimi i projekteve në të mirë të qytetarëve edhe sot jemi këtu. Ashtu siç e vërejtëm gjatë lëvizjes këtu pamë disa kërkesa imediate, siç është rregullimi i kësaj rrugë me begatone dhe rregullimi i ndriçimit publik. Ne si komunë kemi pasur projekt për rregullimin e infrastrukturës e kësaj lagje duke filluar nga planifikimi i gjithë hapësirës por fatkeqësisht pas ndryshimeve në politikën amerikane USAID në duhet të investojmë vetë si pushtet lokal ose do kërkojmë mundësi tjera.”, tha kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami.
 
Këta banorë shumica ekzistencën e tyre e sigurojnë nëpërmjet lëmoshës nëpër rrugët e Tetovës. Ndërsa, problem tjetër për ta është se fëmijët e tyre nuk ndjekin procesin arsimor e shumica nuk janë të regjistruar dhe nuk shfrytëzojnë të drejtat sociale.
 
VISAR SADIKI