Maqedoni
BDI: Mexhiti zhvishet nga kompetencat
22.02.2025 14:41
Bashkimi Demokratik për Integrim aludon se ministrit të Mjedisit Jetësorë dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti...

Bashkimi Demokratik për Integrim aludon se ministrit të Mjedisit Jetësorë dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti i janë marrë kompetencat në ministrinë që drejton. Arsye sipas integristëve është keqpërdorimi i detyrës zyrtare së bashku me stafin. Pretendimet për keqpërdorime sipas partisë së Ahmetit janë konstatuar nga një kontroll i Inspektoratit për Administratë të kryer më 17 janar të vitit 2025.
“Izet Mexhiti është zhveshur nga të gjitha kompetencat e tij, të cilat janë transferuar në Drejtorinë e Mjedisit. Ky institucion, që deri në mandatin e BDI-së udhëhiqej nga një kuadër shqiptar, tani menaxhohet nga drejtor i VMRO-DPMNE-së. Me këtë vendim, Drejtori i ri është urdhëruar që të mos dërgojë për nënshkrim në kabinetin e Mexhitit asnjë dokument nga sektorët kryesorë të Ministrisë, përfshirë Sektorin e Natyrës, Ujërave, Mbeturinave, Mjedisit dhe Ndotjes Industriale.”, thonë nga BDI.
MMJPH: Mexhiti gëzon të gjitha kompetencat
Ministria e Mjedisit Jetësorë dhe Planifikimit Hapësinor në reagimin e saj përgënjeshtron të gjitha akuzat. Thotë se ministri Mexhiti i ka të gjitha kompetencat për të menaxhuar me institucionet dhe realizojë projekte në të mirën e qytetarëve.
“BDI nuk mund të pajtohet me faktin se Izet Mexhiti për 6 muaj qeverisje po realizon projekte të cilat ata për 22 vite as që i kanë paramenduar. BDI për 22 vjet nuk ka kuptuar se organet qeveritare siç janë ministritë, nuk udhëhiqen nga letrat e arkivuara, por nga ligjet dhe Kushtetuta. Këtë nuk e kanë mësuar për 22 vjet në pushtet, por tani në opozitë e kanë mundësinë për të mësuar se si udhëhiqet shteti.”, pohojnë nga Ministria e Mjedisit Jetësorë dhe Planifikimit Hapësinor.
Ministria e Mjedisit Jetësorë njofton se qeveria aktuale ka kthyer kompetencat e inspektorateve nëpër ministri të ndryshme, e të cilët u mohuan dhjetë vite më parë.
MERAL ISMAILI
