Maqedoni

Përplasje politike rreth punësimeve, Kuzeska: Punësime të kuadrove partiake

22.02.2025 15:20

Paralajmërimet punësime të reja nga ana e ekzekutivit janë kritikuar nga LSDM opozitare si punësime partiake dhe tendencë për të partizuar administratën...

Deklarimet e fundit nga ana e zyrtarëve shtetëror për krijimin e mundësisë për 2-3 mijë punësime të reja në institucionet shtetërore gjatë këtij viti, kanë përplasur shumë aktorë politik si të pozitës ashtu edhe të opozitës. Sipas partisë më të madhe opozitare në vend Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, deklarimet e zv/Kryeministrit të parë Izet Mexhiti se Qeveria e vendit në afat shumë të shkurtë kohorë do të punëson 2-3 mijë punësime është skandal dhe pa precedencë. Sipas opozitës maqedonase, bëhet fjalë për punësime partiake, dhe kjo tregon se këto parti janë të interesuara për partizim të institucioneve të vendit. 
 
“Deklarimi i Izet Mexhitit se Qeveria do të punëson 2-3 mijë kuadro partiake të partisë së Mexhitit në administratën shtetërore është skandal pa precedencë. Punësimi në masë I kuadrove partiake në administratën shtetërore para zgjedhjeve është mirë i koordinuar me Mickovskin, dhe pyetja është se lista e punësimeve a gjenden tanimë në tavolinën e Mickovskit. Ky është paralajmërimi më i madh i partizimit të institucioneve shtetërore, bëhet fjalë për klientelizëm klasik partiak, punësim i kuadrove partiake, dhe persona të afërt me partitë në pushtet, pa kriteriume të qarta. Kjo është praktika e njejtë me atë të cilën e kemi parë gjatë kohës së regjimit të Gruevskit.”, tha Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.
 
VMRO: Punësime sipas nevojave të institucioneve 
 
Por i menjëhershëm ka qenë reagimi nga VMRO-DPMNE-ja, sipas partisë në pushtet LSDM-ja po përhap edhe një herë gënjeshtra flagrante për të mbuluar gjendjen katastrofike në të cilën e ka lënë vendin.
 
“Pretendimet se qeveria do të punësojë 3000 njerëz janë një gënjeshtër e plotë dhe një përpjekje e dëshpëruar e LSD-së për të gjetur një justifikim për dështimin e saj politik. Nëse dikush do të krijonte një ushtri ushtarësh partiakë të paaftë dhe do ta kthente administratën shtetërore në një seli të “Bihaçkës”, do të ishte LSD! Po ashtu, nëse do të ketë punësime, ato do të jenë ekskluzivisht në përputhje me regjistrimin dhe nevojat reale të institucioneve, e jo sipas listës partiake siç bëri LSD. Paniku në rradhët e LSD-së është i dukshëm – ata e dinë që nuk ka më skema, tenderë dhe tarifa të majme për këlyshët e tyre, ndaj shpikin skandale që ekzistojnë vetëm në kokën e tyre.”, thonë nga VMRO-DPMNE. 
 
Përplasja politike rreth punësimeve rrjedh pas deklarimit të zëvendëskryeministrit të parë, Izet Mexhiti rreth vendimit të Qeverisë për transformimin e marrëdhënies së punës nga kontrata mbi vepër në punësim të përhershëm për rreth 1500 të punësuar në shëndetësi, nga të cilët 750 janë shqiptarë. Si dhe përplasja që pati me ministrin e Administratës Publike nga partia E Di, Goran Minçev, lidhur me punësimet e shqiptarëve në institucionet shtetërore.
 
FITIM KRYEZIU