Maqedoni
“Bomba” e 30, e vërteta mbi hetimin e Nikolla Mlladenovit, Zaev: 10 arsye për hetim të ri
07.05.2015 17:26
“Bomba” e 30-të e LSDM-së kishte të bënte me hetimin për vdekjen e gazetarit, Nikolla Mlladenov...

Hetimet janë kryer në mënyrë joprofesionale dhe asgjë nga ajo që është thënë nga ministrja e Brendshme, Jankullovska, dhe prokurorët publikë nuk është e saktë, deklaroi lideri socialdemokrat, Zoran Zaev.
Ai tha se nga bisedat e publikuara mes ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovskës, Martin Protugjerit, Ivo Kotevskit dhe një mesazh mes Jankullovskës dhe Nikolla Gruevskit mund të dëgjohen detaje mbi atë se si është realizuar hetimi, por edhe se janë fshehur provat në procedurë.
“Ka 10 arsye për hetim të ri për Nikolla Mlladenovin, gjurmët e ngjyrës në anën e pasme të makinës së Mlladenovit, e cila s’mund të përcaktohet se sa është e vjetër; locimi i gazetarit përmes celularit, edhe pse zyrtarisht nuk u gjet; në lidhje me llogaritë fiskale nga pikëpagesat, të cilat në procesverbal të hetimit qëndrojnë, por prokuroria mohoi se janë gjetur; se pse një ngjarje kaq e rëndësishme u mbyll pa u zgjidhur shumë dilema, iu dha gjykatësit hetues pa përvojë”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Zaevi tha se qëllimi i partisë së tij nuk është që të dëshmojë ose tregojë se dikush ka vrarë Mlladenovin, por për të kërkuar hapjen e një hetimi të ri, i cili do të vërtetojë faktet dhe kështu do të jetë edhe rasti me “Monstrën”, do të publikohen incizime të këtilla si ky me Mlladenovin edhe për vrasjen te liqeni i Smilkovcit.
Duke komentuar mbi eskalimin e protestave para qeverisë, Zaevi apeloi që qytetarët, në mënyrë të qetë të protestojnë dhe t’u shmangen provokimeve të mundshme.
“Pas informacioneve që ne kemi, por edhe sipas asaj që qytetarët flasin publikisht, provokues hynë dhe provokojnë dhunë dhe ajo është e evidentuar, nuk ka ikje nga kjo. Në fund secili që provokon, pavarësisht se a janë pjesë e protestuesve apo janë provokues të qëllimshëm, duhet ta dinë se për dhunë bartet përgjegjësi”- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, premtoi se pas ndërrimit të pushtetit do të hapet hetim i ri për vdekjen e Mlladenovit, si dhe se drejtësia do t’i arrijë të gjithë.
SANIJE KASAMI
