Botë
Gjermani, të dielën gjermanët votojnë
22.02.2025 16:26
Fuqia më e madhe ekonomike e Europës, Gjermania të dielën shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare...

Fuqia më e madhe ekonomike e Europës, Gjermania të dielën shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Votuesit gjerman nesër do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur Bundestagun e ardhshëm.
Kandidati për kancelar të partisë konservatore CDU në tubimet përmbyllëse ka folur për ringjalljen më të madhe ekonomike, uljen e taksave, shtrëngimin e politikave të imigracionit, tha se me ardhjen e administratës së re të presidentit Trump se në mënyrë drastike po ndryshohet qasja e politikës globale. Njëherit i bëri thirrje Europës, se po gabon në lidhje me qasjen që ka ndaj Ukrainës.
“Shumë kemi gabuar në lidhje me atë që po ndodh në Ukrainë, jo në vitin 2022 kur gjithçka u bë më së evidente, por që në 2014-tën kur gjithçka filloi, dhe tani nëse bëjmë edhe një gabim, nëse përsëri gabojmë, atëherë çmimi nuk do të jetë i lartë vetëm për qytetarët e Ukrainës, por do të jetë edhe për gjithë ne.”, tha kandidati për kancelar i CDU-CSU, Friedrich Merz.
Ukraina dhe sfidat ekonomike dhe gjeopolitike ishin temë diskutimi edhe në tubimin e fundit të kandidatit Olaf Scholz i cili përsëri garon për një mandat të ri. U zotua se Scholz në asnjë moment nuk do të lë vetëm as Gjermaninë dhe as Ukrainën, duke i dhënë të drejt absolute Ukrainës për vetëpërcaktim. Kritikoi edhe miliarderi amerikan Elon Musk, i cili mbështet kundërkandidatët e tij.
“Nuk kam asgjë kundër personave miliarder, por jam kundër miliarderëve që mendojnë se kanë të drejt të ofendojnë dhe të mbështesin krimet. Kjo nuk është e drejtë, andaj ne në Europ, do të insistojmë për rregullat tona, të cilat për shembull një ndër to thotë se simbolet naziste janë të ndaluara në Gjermani dhe kjo do të mbetët kështu.”, tha kandidati për kancelar i SPD, Olaf Scholz.
Në këto zgjedhje është befasuese rritja e përkrahjes të partisë konservatore. Sipas sondazheve të bëra një ditë përpara votimeve, në vend të parë qëndron Aleanca Konservatore e Friderich Merz, e ndjekur nga partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, dhe në vend të tretë qëndrojnë socialdemokratët e kancelarit Scholz.
REXHEP QAMILI
