Ekonomi

Kufizimi i marzhave, VLEN: Po punojmë për mirëqenien sociale

23.02.2025 14:53

Koalicioni VLEN e vlerëson si një të ndër politikat e tyre më të mira qeverisëse kufizimin e fitimit të tregtarëve

Koalicioni VLEN e vlerëson si një të ndër politikat e tyre më të mira qeverisëse kufizimin e fitimit të tregtarëve në 5, 10 dhe 15%. Ata konsiderojnë se në këtë formë do t’i mbrojnë qytetarët nga zhvatja dhe varfëria.
 
“Të gjitha palët duhet ta dinë se tani më ka kaluar koha kur ata kanë bërë çfarë kanë dëshiruar me çmimet duke cënuar xhepin e qytetarëve tanë. Ne nga marrja e pushtetit e kemi konsideruar si përgjegjësi dhe po bëjmë maksimumin që të ofrojmë qeverisje të mirë. Kjo nënkupton që tani qytetarët tanë do të blejnë rreth 1.000 produkte me çmime më të lira nga ato çmime që i kanë blerë deri dje. Prandaj, nga ajo ditë që ne jemi në qeveri po e jetësojmë në praktikë ndryshimin që të jetë i prekshëm e i dukshëm për qytetarët.”, thonë nga koalicioni VLEN në një komunikatë për media.
 
Me vendimin e qeverisë është kufizuar marzha e fitimin në 5%  te produktet e qumështit, bukës, miellit 400 dhe 500, vezëve, vajit, jogurtit dhe kosit. Për 10% është kufizuar fitimi i shitjes së mishit dhe produkteve të përpunuara të mishit, sheqerit, prodhimeve të qumështit, margarinës, gjalpit, perimeve, frutave të konservuara, fasules, orizit dhe brumërave. Ndërkaq deri në 15% janë kufizuar produktet higjienike, frutat dhe perimet e freskëta, detergjentet, ushqimi për foshnja, pelenat, sapuni dhe letrat higjienike.
 
MERAL ISMAILI