Ekonomi

Masat e qeverisë për çmimet, qytetarët ankohen se nuk ka ulje të çmimeve

23.02.2025 15:31

Qytetarët nuk po vënë re uljen e çmimeve pas masës së Qeverisë për të ul marzhën e fitimit të produkteve bazë....

Përderisa qeveria ka ngrirë marzhën për mbi një mijë produkte, një pikëpyetje e madhe është se sa kjo masë do të jep efektin e duhur. Qytetarët e anketuar nga TVM2 shprehen se nuk po vërejnë ndryshim të madh në çmime. Ata ankohen se çmimet vazhdojnë të jenë të larta dhe të papërballueshme për standardin e tyre. 
 
“S’ka asgjë dallim, aspak. Të gjitha janë shtrenjtë se rrogat janë të ulëta, pensionet janë të ulëta. Aty është problemi. Një lëng është bërë 120 denarë nëpër shitore.”, u shpreh një qytetar.
 
“Nuk vërejta zbritje. Mendojë ato çmime që ishin, njëjtë janë ende, vetëm një lloj djathi kishte zbritje për diku 10-15 denarë.”, u shpreh një qytetare.
 
“S’kishte shumë dallim të madh, ndërsa patjetër duhet t’i lirojnë çmimet për ato që janë për jetesë. Në përgjithësi elementaret janë të larta, shumë të larta janë.”, u shpreh një qytetar.
 
“Pak janë liruar, por përsëri shtrenjtë janë.”, tha një qytetar.
 
Bislimi: Nuk do të japin efektin e pritur
 
Profesori universitar Sami Bislimi vlerëson se masat e qeverisë janë vetëm masa administrative afatshkurta, të cilat janë në kundërshtim me ligjshmërinë e kritereve të ekonomisë së tregut. Sipas Bislimit këto masa nuk do të sjellin efekt. 
 
“Këto masa janë masa diskutabile, efekti i tyre është shumë jetëshkurtër, ndoshta edhe nuk ka aspak efekt, sepse tregtarët së pari e kanë ngritur çmimet, e tani në nivel minimal do bëjnë zbritje. Konsumatorët as që do të mund t’i hetojnë këto zbritje, sepse janë në pyetje dhjetë deri njëzet denarë për konsum ditor.”, u shpreh profesori universitar Sami Bislimi.
 
Bislimi vlerëson se për këto situata kur kemi rritje të  çmimeve shteti duhet të intervenojë nëpërmjet rezervave shtetërore.
 
“Rezervat shtetërore, shërbejnë vetëm për një qëllim, për të rregulluar prishjen e barazpeshës ndërmjet ofertës dhe kërkesë. Kur ka ofertë të vogël në treg, atëherë intervenon pushteti ekzekutiv me mallra prej rezervave shtetërore dhe në mënyrë automatike vije deri te ulja e çmimeve.”, tha Bislimi.
 
Për ndryshe në mesin e debateve mbi çmimet e larta, vazhdon të jetë prezente diskprepanca në mes shportës konsumatore dhe pagës mesatare. Konkretisht shporta konsumatore për muajin shkurt është rritur në 63.773 denarë, që paraqet një rritje prej mbi 500 denarëve nga muaji paraprak. Ndërkohë paga mesatare mujore neto e paguar për punonjës, në dhjetor të vitit të kaluar ka qenë 43.587 denarë dhe krahasuar me muajin e njëjtë të vitit 2023 është më e lartë për 9,0 për qind.
 
ERSAN PAJAZITI