Ekonomi

Faturat “përvëluese” të energjisë, qytetarët ankohen për fatura të larta

23.02.2025 15:43

Qytetarët vazhdojnë të ankohen për faturat përvëluese të energjisë elektrike...

1385 qytetar në nivel të territorit të shtetit, kanë parashtruar ankesa deri te kompania energjetike EVN, për korrigjim të faturës së muajit janar 2025. Sipas qytetarëve, faturat janë lëshuar në mënyrë paushalle dhe se këto shifra janë të papërballueshme për xhepat e tyre.
 
“Ma kanë këputur rrymën, fatura e janarit ishte shumë e lartë dhe nuk e përballojmë dot. Erdha ta paguaj, kemi apo s’kemi duhet të gjejmë zgjidhje sepse është ftohtë - dimër, kam nipa dhe mbesa në shtëpi që duan të ngrohen.”, u shpreh një qytetar.
 
“Kjo është e turpshme, një ekzagjerim i madh nga ana e EVN-së. Tash erdha, shikoni vetë, thonë që ka rënë sistemi, kur vjen këtu të ankohesh nuk të japin përgjigje, por dinë t’i dërgojnë faturat e larta dhe të rrjepin xhepat tanë. Le ta ulin çmimin e rrymës sepse kjo nuk durohet më, është e tepruar! Nuk ka shanse ta paguaj këtë faturë me pagën që marr. Boll më kjo nuk durohet, shteti duhet të marr masa dhe të ndërhyjë urgjentisht këtu!”, tha një qytetar.
 
“Para këtij muaji pagova 15.000 denarë, tash afro 24.000 denarë. Si mundet për një muaj, dallimi të jetë aq i madh afro 10.000 denarë. Shkova u ankova, por kot! Thonë; aq ke harxhuar. Nuk e kuptoj, te e njëjta shtëpi, me të njëjta kushte si para pesë muaj, si para një viti me të njëjtën klimë jemi ngrohur në shtëpi, të njëjtat aparatura i kam, por rryma vjen ndryshe.”, u shpreh një qytetar.
 
“Rryma ka ardhur 7.000 e diçka denarë, ndërsa unë nuk jetoj këtu. Erdha të bëj ankesë sepse nuk e di pse ka ardhur kaq shumë. Mbrenda katër muajve, një herë fatura erdhi mbi 4.000 denarë, një herë 5.300 denarë, një muaj 6.400, ndërsa tani mbi 7.000 denarë, ndërsa unë jetoj në Gjermani. Isha u ankova më thonë t’i jeton aty.”, tha një qytetar.
 
“Shumë shtrenjtë, jo shtrenjtë, por shumë, shumë shtrenjtë është rryma në vendin tonë. Kjo është e papërballueshme!”, u shpreh një qytetare.
 
EVN: Për çmimin e energjisë vendos KRRE
 
Sipas Kompanisë Energjetike EVN, faturat janë vinë aq sa harxhojnë qytetarët dhe se për çmimin e energjisë elektrike nuk vendos EVN.
 
“Shuma e faturës për çdo muaj dhe çdo konsumator në veçanti, varet nga konsumi që realizohet gjatë muajit. Për çmimin e energjisë elektrike vendos Komisioni Rregullator për Energjetikë.”, – thonë nga EVN.
 
Bislimoski: Ka vendime në favor të qytetarëve
 
Por, ndryshe nga EVN, Kryetari i Komisionit Rregullator të Energjisë-së Marko Bislimovski, në emisionin “Studio 10” të në TV24 deklaroi se qytetarët që ankohen kanë të drejtë dhe deri tani ankesave të tyre i është përgjigjur pozitivisht Komisoni Rregullator dhe EVN tani është e detyruar t’i korrigjoj faturat e tyre.
 
“Ajo që ka bërë furnizuesi universal është se padyshim ka një parashikim të konsumit, ka gabime dhe qytetarët me të drejtë janë të pakënaqur. Këtë vit kemi 99 ankesa, ose më mirë ankesa për faturat e energjisë elektrike. Këto janë situata kur EVN-ja fillimisht u ka thënë qytetarëve se faturat e tyre janë në rregull, kështu që ata janë drejtuar tek ne. Tani kemi filluar të marrim vendime për 10 ditë kemi më shumë se 10 vendime dhe shumica janë pozitive për qytetarët dhe EVN Home është udhëzuar që t’i korrigjojë.”, - ka deklaruar Bislimovski. 
 
Ndërkohë që EVN dhe KRRE, kanë përplasje me njëra tjetrën, Qytetarët Maqedonisë paguajnë rrymën më të shtrenjtë në rajon. Të dhënat e fundit të Eurostat, të publikuara për vitin e kaluar, tregojnë se edhe para rritjes së çmimit të energjisë elektrike këtë vit, amvisëritë vendase paguanin kilovatin më të shtrenjtë në rajon.
 
FARIJE DAUTI BAKIU