Maqedoni

“Trazirat” në gjyqësor, Shasivari: Të respektohet procedura për Kocevskin

23.02.2025 16:06

Profesori Universitar Jeton Shasivari thotë se gjatë procesit duhet të respektohet procedura ligjore...

Trazira në gjyqësorë. Lëkundjet kanë nisur nga kryeprokurori i cili pas një viti emërim, qeveria synon ta rrëzojë nga detyra. Të martën propozimi mund të gjendet në seancë qeveritare. Shkarkimi i parakohshëm i Kocesvkit ka ngjallur debat, nëse ai në punën e tij ka pasur konflikt interesi dhe ka shkelur ligjet. Sipas gjykimit të profesorit universitar Jeton Shasivari, gjatë procesit duhet të respektohet procedura ligjore. Vetëm në këtë formë thotë ai, opinion i gjerë do të vlerësojë nëse shkarkimi do të jetë në drejtim të avancimit të luftës kundër krimit, ose bëhet fjalë për një vullnet politik.

“Është me rëndësi që me konsekuencë të zbatohet procedura ligjore trishkallëshe që përfshin Këshillin e Prokurorëve Publik, Qeverinë dhe Kuvendin, sidomos mendimi i Këshillit të Prokurorëve Publik dhe nga ana tjetër edhe i dy kushteve ligjore për shkarkimin e parakohshëm, pra shkelja e rëndë disiplinore dhe anëtarësia partiake. Mendoj se më problematike do të jetë shkelja e rëndë disiplinore, por e cila duhet të cilësohet si e tillë në mendimin e Këshillit të Prokurorëve Publik si shkalla e parë e kësaj procedure ligjore dhe përderisa për zgjedhjen e kryeprokurorit në bazë të ligjit nevojitet mendimi pozitiv i Këshillit të Prokurorëve Publik. Mendoj se e njëjta duhet të vlejë edhe në rastin e shkarkimit të kryeprokurorit publik.”, tha profesori universitar Jeton Shasivari.
 
Shasivari: Ligj i ri për Këshillin Gjyqësorë
 
Në thjerrëzën e pushtetit janë edhe pesë anëtarët e këshillit gjyqësorë. Profesori Jeton Shasivari konsideron se me interpelancën ndaj tyre vetëm se po shtohet trysnia që ata vetë të ikin. Ai analizon dilemën përse vetëm anëtarët jo gjykatës nxiren para përgjegjësisë, përderisa vendimet e këshillit merren së bashku me anëtarët gjykatës.
 
“Forma më e mirë sipas mendimit tim do të kishte qenë me ligjin e ri, në mënyrë ligjore, me fuqi të vetë ligjit të ri të kryhet një reformë në përbërjen e Këshillit Gjyqësorë se sa me instrumente të tilla. Prandaj si instrument parlamentar për mendimin tim është i papërshtatshëm në kërkimin e përgjegjësisë të anëtarëve të Këshillit Gjyqësorë, sepse sipas sistemit tonë juridik është vetëm Këshilli Gjyqësor që mund të shkarkojë anëtarin e Këshillit Gjyqësorë.”, tha Shasivari.
 
Shasivari rikujton se edhe përkundër distancimit amerikan nga investimi në Ballkan, interesi i SHBA-ve mbetet reforma në drejtësi. Këtë e ka theksuar edhe vetë ambasadorja amerikane Ageler, e cila ka theksuar se shteti amerikan po ndjek zhvillimet dhe pret të respektohet ligji.
 
MERALE ISMAILI