Maqedoni
Gripi sezonal, rënie e rasteve, por kujdesi ende i nevojshëm
23.02.2025 16:24
Sipas statistikave të plasuara nga Instituti i Shëndetit Publik, vendi e ka arritur pikun e tij me infeksionet që javën e kaluar...

Sezoni i gripit tashmë paraqet një sfidë të madhe shëndetësore. Piku i gripit sipas të dhënave të fundit, arriti efektin e tij gjatë muajit shkurt, gjegjësisht javën që lamë pas. Ky fenomen është rezultat i kombinimit të faktorëve të ndryshëm, duke përfshirë kushtet klimatike të ftohta dhe rritjen e kontaktit me individë të sëmurë. Megjithatë, sipas mjekut familjar Benjamin Kamberi, gjatë javës së dytë të këtij muaji ka filluar rënia e numrit të të prekurve nga gripi.
“Sipas statistikave të plasuara nga Instituti i Shëndetit Publik, Republika e Maqedonisë që javën e kaluar e ka arritur pikun e tij me infeksionet, me virusin e gripit të cilin ne e njohim në publik. Dukshëm në javën aktuale në të cilën gjendemi, vërehet një qetësi pak më e lehtë nëpër korridoret e spitaleve dhe ordinancave.”, tha mjekut familjar Benjamin Kamberi.
Personat të cilët kanë imunitet pak më të dobët, rezultojnë me simptomatologji më të rëndë, me dhimbje më të madhe kockore, me kokëdhembje, kollitje, me temperatura më të shprehura dhe simptomat e tjera të cilat shkojnë në favor të infeksionit me virusin e gripit, thekson mjeku familjar Benjamin Kamberi.
“Me këtë rast vlen të theksohet se në republikën tonë sipas statistikave që janë plasuar, dominon influenca A me gjithë nëntipet e tij që ndikon në 60 përqind të të infektuarve nga gripi. Pastaj vjen influenca B-virusi respirator human dhe normal nuk janë të përjashtuara edhe korona familja, një nga arsyet që ne infektohemi.”, tha Kamberi.
Ndërkohë, në raportin e fundit të Institutit të Shëndetit Publik theksohet se në javën e kaluar janë regjistruar 2.726 raste të të prekurve nga gripi. Numri më i madh i të infektuarve është në Shkup.
“Këtë javë, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 2,726 raste të reja me grip, që përfaqëson një rënie prej 5.3% krahasuar me javën e kaluar. Megjithatë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i të prekurve është rritur me 97%. Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, numri më i madh i të prekurve është regjistruar në Shkup, me 616 raste. Këtë sezon numri i të prekurve është shumë më i lartë krahasuar me vitin e kaluar. Për sezonin 2024/2025, numri total i të prekurve deri tani ka arritur në 14.340, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ishin regjistruar 11.921 raste.” - raporton Instituti i Shëndetit Publik.
Çdo vit, periudha e gripit është një nga momentet më kritike për shëndetin publik, por duke zbatuar masat e rekomanduara, si vaksina, higjiena e rregullt, vendosja e maskave dhe shmangia e kontakteve të ngushta, mund të ulet rreziku i pasojave serioze dhe të ruhet shëndeti i popullatës.
BELINDA KOKA ADEMI
