Rajon

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit, 26 parti dorëzojnë kërkesën për t'u regjistruar

23.02.2025 16:50

Dy ditë para përfundimit të afatit, 26 parti politike kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve...

Dy ditë para përfundimit të afatit, 26 parti politike kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dokumentacionin për t’u regjistruar për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit.
 
Në listën e partive janë edhe tre partitë më të mëdha në vend, Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë. Teksa kanë mbetur dy ditë nga afati i regjistrimit të partive, Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj ende nuk kanë paraqitur kërkesë në KQZ. Sipas afateve të caktuara nga KQZ, partitë politike kanë kohë deri më 25 shkurt për t’u regjistruar për zgjedhjet e 11 majit, ndërsa 7 marsi është afati për regjistrimin e koalicioneve. 
 
Ndërkohë, numri i emigrantëve që regjistrohen për t’u bërë për herë të parë pjesë e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, vijon të rritet me ritme të shpejta. Janë mbi 210 mijë shqiptarë nga diaspora që kanë aplikuar për t’u regjistruar në zgjedhje, ndërsa janë miratuar rreth 170 mijë kërkesa. Afro 39 mijë të tjera janë refuzuar për shkak të adresës, ndërsa përfaqësues të KQZ e kanë quajtur shifrën e regjistrimit më të lartë se parashikimet fillestare. Ndërkohë regjistrimet pritet të rriten edhe më tej, pasi emigrantët kanë edhe 8 ditë kohë për të aplikuar.