Legjionarët, Asani shënon gol në K-League 1
23.02.2025 17:11
Futbollistët shqiptar edhe në këtë fundjavë ishin mjaft të mirë në ekipet e tyre....

Kampionati kryesor i Koresë së Jugut, K-League 1, luajti javën e dytë dhe menjëherë Jasir Asani është kthyer në protagonist me ekipin e tij, Guangju FC. Ndeshja e mbyllur në barazim 2-2 ishte mjaft pozitive për Asanin, i cili shënoi golin e parë të takimit për miqtë në të 14’. Ky gol i sotëm është një kartëvizitë e mirë për Asanin, i cili tregon se është në formë dhe se do të jetë gati për takimet e radhës së Shqipërisë.
Meriton Korenica ka shënuar sërish gol në elitën e futbollit rumun. Ai realizoi supergol në fitoren e Clujit. Skuadra e tij në kuadër të xhiros së 28-të e mposhti Petrolulin në shtëpi me rezultatin 2:0. Korenica realizoi gol nga distanca në minutën e 48-të për 1:0. Ai luajti deri në minutën e 79-të. Te vendësit nga minuta e 63-të në lojë u inkuadrua Lindon Emërllahu. 28-vjeçari Korenica në 35 ndeshjet e zhvilluara këtë edicion ka nëntë gola të shënuar.
Qazim Laçi ka kontribuar me gol të shtunën në fitoren e Spartës së Pragës. Reprezentuesi i Shqipërisë, Laçi, e realizoi golin e parë për vendësit në minutën e 64-t. Sparta në shtëpi e mundi Ceske Budejovice me rezultatin 2:1. Kjo ndeshje i takoi javës së 23-të të elitës së futbollit çek. 29-vjeçari Laçi në 34 ndeshjet e zhvilluara në të gjitha garat këtë edicion ka shënuar tri gola. (Gazetar: Safet Ademi)
