Botë
Tre vite nga nisja e agresionit rus, Zelenski kujton viktimat
24.02.2025 10:22
Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, tha se është krenar për vendin e tij...

Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, tha se është krenar për vendin e tij, për “tre vjet të rezistencës” dhe për “tre vjet të heroizmit absolut të ukrainasve”. Zelenski e lëshoi këtë deklaratë në ditën kur bëhen tre vjet prej se Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, më 24 shkurt, 2022.
Për të shënuar këtë ditë, ai thirri një samit ndërkombëtar të sigurisë në Kiev. Udhëheqës të Bashkimit Evropian, përfshirë presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen, do të marrin pjesë.
“Ne jemi sot në Kiev, sepse Ukraina është Evropë. Në këtë luftë për mbijetesë, nuk është vetëm fati i Ukrainës që është në rrezik. Është fati i Evropës.”, shkroi Von der Lejen në rrjetet sociale.
Fituesi i zgjedhjeve në Gjermani dhe kancelari i mundshëm i ardhshëm, Fridrih Merz, e dënoi agresionin rus dhe krimet e luftës.
“Tani më shumë se kurrë, ne duhet ta vendosim Ukrainën në një pozicion fuqie. Për një paqe të drejtë, vendi i sulmuar duhet të jetë pjesë e negociatave të paqes.”, shkroi Merz në platformën X.
Lufta trevjeçare shkaktoi vdekjen e dhjetëra mijëra ushtarëve dhe civilëve dhe shkatërroi zona të tëra të Ukrainës.
Sipas shifrave të cituara nga Zelenski, së paku 46.000 ushtarë ukrainas janë vrarë dhe rreth 380.000 janë plagosur. Ndërkaq, viktimat ruse përfshirë të vrarët dhe të plagosurit i kalojnë 700.000, sipas vlerësimeve të Perëndimit në muajin dhjetor.
