Rajon

KQZ: Këtë javë do të fillojë numërimi i votave të diasporës

24.02.2025 14:14

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka bërë të ditur se numërimi i votave me kusht...

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka bërë të ditur se numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe atyre nga diaspora pritet të fillojë këtë javë. Sipas KQZ-së aktualisht po bëhet vlerësimi i pakove me fletëvotime të ardhura me postë nga votimi jashtë Kosovës.
 
“Nga data 9 shkurt, kur ka filluar vlerësimi apo verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës dhe deri më 22 shkurt, këtij procesi i janë nënshtruar 60.997 pako, prej të cilave janë aprovuar 56.947, ndërkaq janë refuzuar 4.050. Arsyeja se përse janë refuzuar këto dërgesa është se ato janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës; u mungon dëftesa e regjistrimit; janë dërguar më shumë se një herë; kanë dërguar më shumë se një fletëvotim; etj. Procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen edhe 7.718 pako me fletëvotime.”, njoftojnë nga KQZ.
 
Procesit të verifikimit do t’i nënshtrohen edhe 12 mijë e 801 zarfet me fletëvotime nga vendvotimet me kusht. Ndërsa numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2.597 vota, bëjnë të ditur nga KQZ.
 
 
GYLTENE SINANI