Maqedoni
Ganiu: Këtë vit 25 projekte në Çair
24.02.2025 14:28
Kreu i komunës së Çairit, Visar Ganiu, thotë se në këtë komunë gjatë këtij viti do të realizohen mbi 25 projekte...

Kreu i komunës së Çairit, Visar Ganiu, thotë se në këtë komunë gjatë këtij viti do të realizohen mbi 25 projekte. Ganiu thotë se ndonjëri prej projekteve mund të bie për shkak se sipas formulës për ndihmë të Qeverisë ndaj komunave, Çairit i takojnë 9 milionë euro, ndërsa komuna ka projekte për 10 milionë euro.
“Në çdo një javë, dy, do të fillojmë me të gjitha projektet për t’i realizuar. Kjo tregon se nuk është fushatë, por jemi direkt në punë. Janë mbi 25 projekte dhe neve sipas asaj formule na takojnë diku 9 milionë euro. Ne kemi projekte për 10 milionë euro, ndoshta ndonjë prej atyre projekteve duhet të bie ose në qoftë se ka gatishmëri nga Qeveria, diku tjetër mungojnë projekte dhe nuk mund t’i japin të gjitha mjetet, atëherë të kemi mundësi, d.m.th. që të gjitha projektet të miratohen.”, - deklaroi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Perinski: Të zgjidhen sfidat e jetës urbane në Çair
Ministria e Pushtetit Lokal mbështet komunën e Çairit në realizimin e projekteve që përmirësojnë kushtet e jetesës së qytetarëve, tha ministri, Perinski.
“Ne si ministri dhe si Qeveri vazhdojmë të punojmë së bashku me komunat për të krijuar kushte për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim përkatësie etnike apo fetare. Më e rëndësishme është që të zgjidhen sfidat e jetesës urbane, të dëgjohen nevojat e qytetarëve dhe të investohet për t'i tejkaluar të gjitha sfidat.”, - theksoi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski.
Ganiu: Arsovska po e diskriminon Çairin në investime
Por, kreu i Çairit, Ganiu, ankohet për diskriminim në investime nga kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska.
“Dhe prej vitit 2020 e këndej, d.m.th. ka inkasuar apo absorbuar mjete apo ka gjeneruar Qyteti i Shkupit nga komuna e Çairit nga taksat dhe të gjitha llojet e komunaleve, diku mbi 18 milionë euro, ndërsa deri më tani nuk është investuar asnjë milion. Shifra nuk ka mbërritur asnjë milion euro që është investuar për këto 3 vjet e gjysmë dhe kjo është një diskriminim i plotë.”, - u shpreh kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Njëherit u bë e ditur se Ganiu dhe Perinski kanë diskutuar për ndryshimin e ligjit të pushtetit lokal, i cili siç u tha duhet të jetë më i mirë se ligji aktual, me qëllim që të jetë më funksional për komunat dhe qytetarët.
VLORA LATIFI TOPOJANI
