Maqedoni

Ligji për përfaqësim adekuat, Fronti Evropian: Si punësohen shqiptarët?

24.02.2025 14:47

Opozita shqiptare pyet koalicionin VLEN lidhur me procedurën e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat...

Opozita shqiptare pyet Qeverinë, respektivisht koalicionin VLEN lidhur me procedurën e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat dhe në çfarë bazash juridike momentalisht po punësohen shqiptarët, kur balancuesi u shfuqizua?! Deputetja, Rina Hajdari, kërkoi sqarim edhe për paraqitjet mediatike të përfaqësuesve të VLEN-it, se do të punësojnë numër të madh shqiptarësh dhe demantimin nga kryeministri, si dhe ministrja e Financave. 
 
“Ne akoma po presim të shohim a ka Ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Ajo që na shqetëson dhe duhet edhe deputetët e VLEN-it t’i shqetësojë, por edhe të gjithë të pranishmit këtu, edhe Qeverinë po ashtu, tani për momentin si bëhet shpërndarja e  të punësuarve mbi baza etnike në të gjitha institucionet e vendit?! Eksponentët politikë të VLEN-it dalin qesharakë para opinionit, premtojnë me mijëra punësime në mëngjes dhe nuk shkojnë dy orë dhe del kryeministri i demanton.”, - deklaroi deputetja e Frontit Evropian, Rina Hajdari.
 
Snopçe: Ligji i ri do të sillet së shpejti
 
Nga VLEN-i thonë se Ligji për përfaqësim është duke u përgatitur dhe përkujtojnë Qeverinë e kaluar për mos rregullimin kushtetues të punësimit të shqiptarëve në institucione shtetërore plot 20 vjet. Deputeti, Halil Snopçe, tha se shfuqizimit të balancuesit i kanë paraprirë nënshkrimet e ministrave të BDI-së.
 
“VLEN-i është në proces dhe Ligji për përfaqësim të drejtë dhe të barabartë do të sillet. Ju flisni për balancuesin për të cilin  të gjithë ministrat e Qeverisë së kaluar në programin 2024-2029 për reformat në administratë kanë nënshkruar për heqjen e balancuesit. Asnjë ministër i juaji s’ka dhënë vërejtje që balancuesi të ngelet si mekanizëm. Së shpejti do të sillet Ligji dhe së shpejti do të mundemi që në mënyrë të drejtë dhe të barabartë të ketë punësime edhe në instanca të cilat nuk i kanë marrë parasysh aspak.”, - theksoi Halil Snopçe nga VLEN.
 
Ditë më parë edhe zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti, paralajmëroi se janë përafruar qëndrimet dhe së shpejti do të publikohet propozim-ligji i ri.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU