Ekonomi

Çmimet e produkteve ushqimore, Mickoski fton tregtarët për bashkëpunim

24.02.2025 15:05

Inspektorët e tregut janë në teren për të kontrolluar nëse maketet po implementojnë masën e qeverisë për uljen e marzhës së fitimit...

Vikendin e kaluar inspektorët e tregut kanë kontrolluar supermarketet nëse po i implementojnë ose jo masat e Qeverisë për uljen e marzhës së fitimit. Megjithëse janë hasur parregullsi, inspektorët kanë shqiptuar vetëm vërejtje. Kontrollet vazhdojnë edhe këtë javë dhe siç kanë bërë të ditur nga Inspektorati i tregut, deri në fund të javës do të kontrollohen njëmijë supermarkete dhe pompa të benzinës, si dhe për mosrespektuesit e masës qeveritare dhe do të shqiptohen edhe dënime. Ndërkohë Qeveria shprehet e hapur për të shqyrtuar propozimet e Odës së Tregtarëve për stabilizimin e çmimeve edhe pasi uli marzhat në 5, 10 dhe 15%. Kryeministri, Hristijan Mickoski, fton tregtarët të dorëzojnë propozim konkret. 
 
“Do të doja që propozimi të jetë i përqendruar pasi që në takimin e fundit propozimi i tyre ishte i shpërndarë. Nga përfaqësues të ndryshëm juridik kemi marrë propozime të ndryshme. Them që oda të sjellë një propozim dhe do ta shohim. Duhet të dimë se për çfarë platforme mund të bisedojmë dhe nëse kjo është më e mirë, në drejtim të përmirësimit të standardit të qytetarëve, ne në një seancë të jashtëzakonshme do ta pranojmë.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Kuvend, partitë me propozime për standardin jetësor
 
Pushteti ndërkohë në Kuvend ka vënë në procedurë propozimin për konsumatorë, ku qytetarët do të mund onlajn të shohin çmimet e produkteve. Por, ata refuzuan propozimin e opozitës. Socialdemokratët dështuan në tentativën për të hequr TVSh-në për ushqimet, si dhe për të ulur TVSh-në e rrymës nga 18 në 5%. Thanë se pushteti është kundër qytetarëve.
 
“Ulja e TVSh-së për energjinë elektrike do të nënkuptonte fatura për 13% më të ulëta për mbi 600 mijë familje. Për një faturë prej 3 mijë denarësh, qytetarët do të kursenin 400 denarë në muaj ose në vit rreth 5 mijë denarë. Ulja e TVSh-së nga 5% në 0% do të sillte menjëherë ulje të çmimeve të ushqimeve. Mbi 3 mijë produkte do të bëheshin më të lira.”, - theksoi deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi.
 
Nga VMRO-DPMNE propozimin e LSDM-së e cilësojnë si hipokrit. 
 
“Gjenitë ekonomikë të LSDM-së përderisa ishin në pushtet i rritën çmimet e qindra artikujve ushqimorë. Atëherë kishin inflacion dyshifrorë. Por, tani me masat e Qeverisë, sikurse ulja e marzhave do të ndalohet inflacioni i ushqimit.”, - u shpreh deputeti i VMRO–DPMNE-së, Igor Zdravkovski.
 
Deputetët e VMRO-së e quajnë të padrejtë kërkesën për uljen e TVSh-së për rrymën, pasi sipas tyre vetë LSDM-ja përderisa ishte në pushtet rritën çmimin e rrymës për 100%.
 
MERAL ISMAILI