Maqedoni
Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ndahen 79 grante për 130 shkolla
24.02.2025 15:19
Në buxhetin e vitit 2025, mbështetja financiare për shkollat do të rritet ndjeshëm...

Në buxhetin e vitit 2025, mbështetja financiare për shkollat do të rritet ndjeshëm, me fokus në realizimin e aktiviteteve që promovojnë multikulturalizmin, integrimin ndëretnik dhe tolerancën. Kështu deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, e cila i prezantoi rezultatet e konkursit për ndarjen e granteve për aktivitete shkollore që synojnë të forcojnë integrimin ndëretnik, tolerancën dhe bashkëjetesën multikulturore në vitin shkollor 2024 - 2025. Sipas saj, deri më tani grantet kanë qenë në vlerë prej 30 mijë denarësh, ndërsa me konkursin e ri ato do të arrijnë gati 90 mijë denarë, që përkon me dy paga mesatare neto.
“Janë ndarë gjithsej shtatëdhjetë e nëntë grante prej 30.000 denarësh për 130 shkolla fillore dhe të mesme, me qëllim afrimin e nxënësve nga komunitete të ndryshme etnike, kulturore dhe fetare. Projekti synon t’i edukojë ata për respektin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, si dhe të krijojë një mjedis më harmonik në shkolla.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Diversiteti nuk duhet parë si një pengesë, por si një mundësi për afrimin mes të rinjve, zhvillimin e empatisë dhe krijimin e një shoqërie më të fortë, u shprehën mësimdhënësit, të cilët janë pjesë e këtij projekti.
“Tema e këtij viti që e kemi titulluar “Përmes gishtave do të shikoj, në zemër do të depërtoj”, ka për qëllim njohjen e traditave nëpër dasma, festave dhe të gjitha ritualeve të një kulture, në këtë rast njohjen e kulturës shqiptare dhe anasjelltas, duke u ofruar një mundësi të shkëlqyer nxënësve për njohje dhe shoqërim mes njëri-tjetrit, me çka do të rrënohen të gjitha paragjykimet.”, - tha një mësimdhënëse.
“Qëllimi është që të shoqërohen dhe të njohin njeri-tjetrin dhe kulturat e tyre. Këtë e arrijmë përmes këtyre projekteve.”, - u shpreh një mësimdhënës.
Ministrja Janevska theksoi se ky program është një detyrim ligjor dhe një pjesë e rëndësishme e strategjisë arsimore të ministrisë, e cila synon të garantojë qasje të barabartë dhe cilësore në arsim për të gjithë nxënësit.
FARIJE DAUTI BAKIJU
