Botë

Ukrainë, shënohet trevjetori i agresionit rus

24.02.2025 15:36

Tre vjet pas sirenave që dhanë alarmin për t'u mbrojtur nga sulmet në Ukrainë më 24 shkurt 2022...

Tre vjet pas sirenave që dhanë alarmin për t'u mbrojtur nga sulmet në Ukrainë më 24 shkurt 2022, ky përvjetor e gjenë Ukrainën në rrethana kur ShBA-ja dhe Rusia janë dakorduar për kornizën e bisedimeve rreth marrëveshjes për paqe. Por, udhëheqësit e Ukrainës dhe ato evropianë insistojnë të jenë pjesë e atyre bisedimeve.
 
Në këtë përvjetor para Këshillit të Sigurisë të OKB-së janë paraqitur dy rezoluta: një e propozuar nga ShBA-ja dhe tjetra nga BE-ja, në përpjekje për të ndaluar konfliktin. ShBA-ja kërkon një fund të shpejtë të luftës. Bashkësponzorues i kësaj rezolute është edhe vendi ynë. Kryeministri Mickoski pret që kjo rezolutë të përkrahet nga shumica e anëtarëve. 
 
“Ashtu vendosëm, se do të jemi bashkësponzorues të rezolutës që e ka dorëzuar ShBA-ja. Presim që e njëjta të gjejë mbështetjen më të madhe të anëtarëve të OKB-së.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Përveç Maqedonisë së Veriut, bashkësponsorizues të rezolutës amerikane janë Gjeorgjia, Izraeli dhe Hungaria. Projekt-rezoluta e BE-së dhe Ukrainës ka të bëjë me invazionin e plotë nga ana e Federatës Ruse dhe kërkohet tërheqje urgjente dhe e pakushtëzuar e forcave ruse. Në trevjetorin e luftës, liderët botërorë në Kiev premtuan ndihmë, ndërsa BE-ja miratoi paketën e saj të 16-të të sanksioneve kundër Rusisë. 
 
“Do të rrisim sanksionet kundër Rusisë, derisa nuk tregojnë vullnet të vërtetë për arritjen e një marrëveshje paqësore.”, - deklaroi kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen.
 
“Vetëm garanci të sigurta do të sigurojnë paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të përhershme për Ukrainën dhe Evropën. BE-ja do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të mbështetur Ukrainën.”, - theksoi kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta. 
 
Presidenti ukrainas, Zelenski, kërkoi që Ukraina, Evropa së bashku me Shtetet e Bashkuara të jenë në tryezën e bisedimeve para Rusisë. 
 
“Ky vit duhet të jetë vit i fillimit të paqes të sigurtë dhe të vërtetë. Duhet të arrijmë paqe nëpërmjet zgjuarsisë dhe unitetit, përmes bashkëpunimit tonë me ju.”, - u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Në kohën kur shumë liderë të BE-së zbarkuan në Kiev, presidenti francez, Emanuel Makron, së bashku me kryeministrin britanez, Starmer, zgjodhën të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një takim me presidentin, Donald Tramp. Moska, nga ana tjetër nuk heq dorë nga synimet e saj, qëndrimi i shefit të diplomacisë ruse u përsërit edhe në Ankara.
 
“Presidenti ka treguar qartë se ne jemi të gatshëm të negociojmë me Ukrainën dhe Evropën, me çdo përfaqësues që dëshiron të arrijë paqen. Por, ne do të ndalojmë veprimet ushtarake kur këto negociata të arrijnë një rezultat solid dhe të qëndrueshëm në favor të Federatës Ruse.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergej Lavrov.
 
Ndërkohë sulmet ruse vazhdojnë. Harkivi, qyteti i dytë më i madh në Ukrainë u përball me pasojat e një bombe ajrore ruse në orët e mëngjesit. Dronët rusë mbuluan qiellin mbi tokë, Kievi u përgjigj me dronë në rajonin Ryazan të Rusisë. Që nga fillimi i luftës, mbi tetë milionë ukrainas kanë kërkuar azil, shumica e tyre në vendet evropiane.
 
Sipas vlerësimeve të Perëndimit në muajin dhjetor, së paku 46.000 ushtarë ukrainas janë vrarë dhe rreth 380.000 janë plagosur. Ndërkaq, viktimat ruse, përfshirë të vrarët dhe të plagosurit, i kalojnë 700.000. 
 
BELINDA KOKA ADEMI