Maqedoni
Qeveria, dy projekte prej 14.7 milionë eurosh, 12 milionë për rikonstruktim të spitalit “8 Shtatori”
24.02.2025 15:57
Qeveria ka ndarë 12 milionë euro për rikonstruktimin dhe ndërtimin e Spitalit të Qytetit "8 Shtatori"...

Qeveria ka ndarë 12 milionë euro për rikonstruktimin dhe ndërtimin e Spitalit të Qytetit "8 Shtatori" me një sipërfaqe prej 2.000 metrash katrorë, gjegjësisht shtatë salla operacioni, hapësirë të re për kujdes intensiv, rikonstruksionin e laboratorëve, përmirësimin e sistemit të monitorimit qendror, instalimin e ashensorëve, rinovimin e çatisë dhe përmirësimin e sistemit të ngrohjes dhe ftohjes. Zëvendëskryeministri, Aleksandar Nikollovski, tha se ky investim do të ndihmojë në përmirësimin e kushteve për pacientët dhe do të kontribuojë në rritjen e cilësisë së shërbimeve mjekësore.
“Dy do të jenë për kirurgji abdominale, dy për ndërhyrje urologjike, një për vesh, hundë dhe fyt, një për kirurgji në sy dhe si risi kirurgjia robotike. Kujdesi intensiv, në një sipërfaqe prej 500 m2. Parashikohen pajisje për pacientët me shtretër të teknologjisë moderne, hapësira ndihmëse prej 800 m2, sterilizimi, laboratori biokimik, laboratori mikrobiologjike dhe laboratori patologjike.”, - deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolovski.
Në kuadër të investimeve në infrastrukturë dhe pajisje të reja në shëndetësi, ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, paralajmëroi edhe fillimin e rinovimit të Repartit të Kujdesit Intensiv në Qendrën Klinike javën e ardhshme. Ai tha se me përfundimin e gjithë procesit, sallat në Qendrën Klinike, në KARIL dhe tek “8 Shtatori” do të marrin një pamje moderne me standarde të reja.
“Pas 5, 6 muajsh, të gjitha këto dhoma, të rinovuara dhe me standarde të reja, do të duken si duhet të duket një sallë kirurgjikale vërtetë moderne dhe tek “8 Shtatori” do të ketë jo vetëm sallë kirurgjike, por edhe terapi intensive, një laborator të ri, laboratorë të rinj mikrobiologjikë. Ka më shumë dhoma. Nuk e di saktë sipërfaqen, por mendoj se janë diku rreth 5, 6 mijë metra katrorë renovim.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
2.7 milionë euro për Aeroportin e Ohrit
Zyrtarët qeveritarë gjithashtu sot njoftuan se janë ndarë rreth 2.7 milionë euro edhe për rikonstruimin e Aeroportit të Ohrit “Shën Apostulli Pal”, i cili siç thanë do të përmirësojë kushtet për të punësuarit dhe do të tërheqë një numër të madh të udhëtarëve. Ky investim do të përfshijë një ndërtesë të re administrative, hapësirë të re për zyra, dhoma ndihmëse, një zonë të re të dedikuar të sigurisë, rindërtim të ndërtesës së terminalit dhe një regjim të ri trafiku në parking. Projekti në fjalë është planifikuar të përfundojë në mars të vitit 2026.
ARMEND MURSELI
