Maqedoni

Shkarkimi i kryeprokurorit, nesër Qeveria do të vendosë për shkarkimin e Kocevskit

24.02.2025 16:12

Në seancën e nesërme të Qeverisë do të paraqitet propozimi për shkarkimin e kryeprokurorit, Ljupço Kocevski....

Në seancën e nesërme të Qeverisë do të paraqitet propozimi për shkarkimin e kryeprokurorit, Ljupço Kocevski. Procedura për shkarkimin e prokurorit publik të shtetit, Ljupço Kocevski, sipas ligjit do të zgjasë disa javë e ndoshta edhe muaj, tha kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
“Ne si Qeveri absolutisht nuk mund ta shkarkojmë, por mund të fillojmë procedurën. Me sa di unë, dokumenti duhet të dërgohet në Këshillin e Prokurorëve Publikë, kështu që brenda 15 ditësh mund të presim një mendim atje. Kjo procedurë do të marrë kohë, nuk do të përfundojë menjëherë. Kështu është ligji.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Shkarkimi i kryeprokurorit, Xhelili: Të zëvendësohet me profesionist, jo partiak
 
Sipas ekspertit juridik, Fadil Xhelili, reformat e mirëfillta në sistemin e drejtësisë janë të mirëpritura, por duhet pasur kujdes që ato pozita mjaftë të rëndësishme për funksionimin e shtetit mos  të zëvendësohen me kuadro partiake, por ekspertë të dëshmuar në punën e Prokurorisë.
 
“Nga analiza e bërë e punës së kryeprokurorit dhe raportit që është prezantuar në Kuvend, shihet se ka një pakënaqësi ndaj punës së prokurorit dhe nuk i është përgjigjur obligimeve që ka si kryeprokuror në përndjekjen e krimit, korrupsionit dhe krimit të organizuar. Mendoj se procedura për shkarkimin e tij është konform rregullativës ligjore, por ajo që duhet pasur kujdes është që në vendin e tij do të duhej të vijë njeri profesionist, i dëshmuar në punën e Prokurorisë dhe mbi të gjitha një person me integritet dhe autoritet të plotë. Gjithsesi ajo që druan faktori ndërkombëtarë është që mos të ndryshohen kuadro të cilët pak ose shumë etiketohen si partiak dhe në vend të tyre sërish të vendosen po ashtu kuadro partiake të partive në pushtet.”, - theksoi eksperti juridik, Fadil Xhelili.
 
Argumentet për shkarkimin e Kocevskit nga Ministria e Drejtësisë do t’i shprehin në dokumentin që përgatisin dhe pasi ta miratojë Qeveria do t’i dërgohet për shqyrtim Këshillit të Prokurorëve Publikë. Megjithatë në bazë të intervistës së fundit të ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, si dhe kryeministrit, Hrsitijan Mickoski, si arsye për shkarkimin e prokurorit të shtetit renditen reputacioni dhe funksionaliteti i dëmtuar i Prokurorisë, veprimet e kundërligjshme, korrupsioni, ndikimi dhe joefikasiteti. Përderisa nga partia opozitare LSDM kërkuan që politika të qëndrojë mënjanë dhe procesi të zhvillohet në përputhje me ligjet, nga VMRO-DPMNE akuzojnë se Kocevski ka mbrojtur krimet e tyre.
 
Në deklarimin e fundit për media, Kocevski tha se nuk ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme, ndërsa deklaroi se nëse argumentohet se ka bërë shkelje, ai vetë do të largohet nga pozita. Mandati i prokurorit publik zgjat gjashtë vjet, ndërsa Kocevski në këtë pozitë është zgjedhur në shkurt të vitit 2024.
 
FLORIJE KAMBERI