Botë
Gjermani, Merz sinjalizon “pavarësi” nga ShBA-ja
24.02.2025 16:30
Fituesi i zgjedhjeve, kancelari i pritshëm i Gjermanisë, Fridrih Merz...

Fituesi i zgjedhjeve, kancelari i pritshëm i Gjermanisë, Fridrih Merz, ka deklaruar se do të kërkojë “pavarësi” të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara dhe shprehu dyshime për të ardhmen e NATO-s.
“Për mua, prioritet absolut do të jetë forcimi i Evropës sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që, hap pas hapi, të mund ta arrijmë pavarësinë nga ShBA-ja.” në çështje të mbrojtjes, tha Merz të dielën vonë, pasi aleanca e tij CDU/CSU doli e para në zgjedhjet parlamentare të Gjermanisë.
Ai tha se nuk ka “fare iluzione për atë që po vjen nga Amerika”.
“Pas deklaratave të Trampit javën e kaluar, është e qartë se amerikanët janë kryesisht indiferentë ndaj fatit të Evropës.”, tha Merz. “Jam shumë kurioz të shoh se si do të shkojmë drejt samitit të NATO-s në fund të qershorit - nëse do të flasim ende për NATO-n në formën e saj aktuale ose nëse do të na duhet të krijojmë një kapacitet të pavarur mbrojtës në Evropë shumë më shpejt.”, deklaroi ai.
