Botë

Trampi dhe Makroni paraqesin qëndrime të ndryshme për Ukrainën

25.02.2025 10:50

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se ai dhe Presidenti Donald Trump bënë “hapa thelbësorë përpara” gjatë takimit të tyre të sotëm...

Presidenti amerikan, Donald Tramp, dhe ai francez, Emanuel Makron, shfaqën dallime të mëdha në qasjen e tyre ndaj Ukrainës, duke nxjerrë në pah dallimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës mbi propozimin e Trampit për një marrëveshje të shpejtë armëpushimi me Rusinë.

Presidenti Tramp nuk pranoi t'i referohej presidentit rus, Vladimir Putin, si diktator, pasi e quajti presidentin e Ukrainës, Volodimir Zelenski, një diktator javën e kaluar. Presidenti Makron tha se është e qartë se Rusia "është agresore" në konflikt, një temë për të cilën presidenti Tramp ishte i lëkundur javën e kaluar.
 
“Presidenti Putin shkeli paqen.”, tha Makroni në një konferencë të përbashkët për shtypin me presidentin, Tramp.
 
Trampi shprehu dëshirën për arritjen e një armëpushimi sa më shpejt që të jetë e mundur dhe tha se po përpiqej ta bënte të mundur arritjen e një armëpushimi mes Ukrainës dhe Rusisë. Ai tha se mund të shkonte në Moskë për të takuar Putinin pasi të arrihej një marrëveshje armëpushimi. 
 
Presidenti Makron, nga ana tjetër, kërkoi një qasje më të fortë, duke filluar me një armëpushim dhe më pas një marrëveshje paqeje që do të përfshinte garanci sigurie. Javën e kaluar Zelenski hodhi poshtë kërkesat e ShBA-së për 500 miliardë dollarë në pasuri minerale nga Ukraina për të shlyer Uashingtonin për ndihmën e dhënë gjatë kohës së luftës. 
 
Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk i kishin dhënë Kievit shumë më pak deri më tani dhe se marrëveshja nuk ofronte garanci specifike sigurie për Ukrainën. Të enjten në Uashington do të vijë edhe kryeministri britanik, Keir Starmer, vizitë që vjen mes shqetësimesh në Evropë mbi qëndrimin e ashpër të presidentit Tramp ndaj Ukrainës.